“Beni ecën vetë” mbush 50 vjeç

Prishtinë | 24 Jan 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

50 vjet më parë në kinemanë e qytetit të Korçës u shfaq premiera e filmit “Beni ecën vetë”.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit kujton me mirënjohje, në këtë jubile, stafin realizues të filmit, e veçanërisht regjisoren Xhanfise Keko, e cila i dha kinemasë shqiptare disa nga portretet më të bukura të fëmijërisë.

Filmi i dashur shqiptar “Beni ecën vetë”, u shfaq për herë të parë më 23 janar 1976. Megjithëse kanë kaluar pesë dekada prej asaj date, ai mbetet në kujtesën e publikut, veçanërisht të atij brezi që u rrit duke parë në ekranin e madh dhe atë të vogël, Benin dhe aventurat e tij në fshat.

“Beni ecën vetë” është një kthim te fëmijëria, te fshati, te rrugicat, lojërat e pafajshme, emocionet e vegjëlisë. Shkruar nga Kiço Blushi, “Beni ecën vetë” u soll nga regjisorja Keko me një gjuhë të thjeshtë, njerëzore dhe plot ndjenjë. Filmi u vlerësua edhe ndërkombëtarisht, duke fituar Çmimin e Nderit në Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Giffoni Valle Piana, Salerno (Itali) në vitin 1978.

Në rolin e Benit, interpreton Herion Mustafaraj, me në krah disa prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare si Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka e Yllka Mujo./oranews

Të ngjashme