Mario Banushi nderohet me Luanin e Argjendtë në Bienalen e Teatrit të Venecias, Kurti e uron për suksesin historik

Prishtinë | 24 Jan 2026 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Regjisori dhe dramaturgu shqiptar i lindur në Greqi, Mario Banushi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar duke u nderuar me Luanin e Argjendtë në Bienalen e Teatrit të Venecias, një nga çmimet më prestigjioze në botën e artit skenik.

Në moshën vetëm 27-vjeçare, Banushi është bërë laureati më i ri në historinë e këtij çmimi, i cili ndër vite u është dhënë emrave të mëdhenj të artit botëror, si Federico Fellini, Akira Kurosawa dhe Luca Guadagnino.

Për këtë arritje, ai është uruar edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka vlerësuar lart talentin, ndjeshmërinë dhe dimensionin poetik të krijimtarisë së regjisorit të ri.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se Banushi ka triumfuar tashmë në skena dhe teatro të njohura ndërkombëtare, ndërsa është cilësuar si “zbulimi i vitit” në festivalin prestigjioz të Avinjonit.

“Kritika e specializuar e quan atë një Tarkovski të teatrit bashkëkohor”, shkruan Kurti, duke nënvizuar se shfaqjet e tij: Goodbye, Lindita, Taverna Mirësia dhe Mami trajtojnë me forcë poetike temat e sensualitetit të fëmijërisë, mitit, ëndrrës, si dhe ndjenjat e mallit, zisë dhe humbjes.

Sipas Kurtit, përvoja jetësore e Banushit i rritur mes gjyshes në Shqipëri dhe nënës e tezeve në Greqi e ka formësuar thellë vizionin e tij artistik, duke e bërë një dëshmitar autentik të realitetit të mërgimit dhe jetës diasporike që sot përjetojnë qindra mijëra shqiptarë.

Kryeministri në detyrë shprehu gjithashtu keqardhjen që veprat e tij ende nuk janë shfaqur në skenat shqiptare, duke shpresuar që kushtet për prezantimin e tyre në Kosovë dhe Shqipëri të krijohen sa më shpejt.

“Publiku shqiptar meriton ta njohë nga afër talentin dhe vizionin unik të Mario Banushit”, përfundon Kurti në mesazhin e tij.

Të ngjashme