Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë për të refuzuar kërkesën për paraburgim dhe për të caktuar masën e paraqitjes së ndalimit në stacione policore ndaj 22 personave nën dyshimin për falsifikim të rezultatit zgjedhor, ka reaguar avokati Meshari Selimaj, duke e quajtur vendim të drejtë.
Selimaj i cili përfaqësoi në gjykatë njërin nga 22 të dyshuarit, e që kërkon që hetim të bëhet edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Vendim i drejtë dhe i ligjshëm, e mbi të gjitha parimor ky i Gjykatës Themelore ne Gjakove. Paraburgimi nuk është mjet për arritjen e qëllimit të dënimit. Është e rëndësishme që të hetohet edhe vetë KQZ-ja e cila në kundërshtim me ligjin ka lejuar që numërimi por dhe regjistrimi i votave të bëhet në grup nga vetë anëtarët komisioner dhe kryesuesit e tyre”, ka shkruar avokati Selimaj në rrjetin social “Facbook”.
Më tej në shkrim ai nënvizon se duhet të vihen para drejtësisë ata që kanë keqpërdorur vullnetin e qytetarëve.
“Në seancën dëgjimore maratonike të mbajtur mbrëmë, mbrojtja i dha qëndrimet e saj sa i përket masës së sigurisë të kërkuar nga prokuroria dhe shumë mirë që nuk u zbatua paraburgimi për shkak të mungesës së ekzistimit të rrezikut të ndikimit në prova dhe bashkëpandehur. Mirëpo kjo nuk përbën arsye për mos ta mbështetur këtë të fundit organ për vënien para drejtësisë të atyre që kanë mundur të keqpërdorin vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë”, ka shkruar Selimaj.