Njohësi i çështjeve ekonomike, Adem Qorrolli ka kritikuar premtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për pagën e 13-të në sektorin publik, duke e cilësuar atë më shumë si instrument politik sesa si zgjidhje për problemet e punëtorëve.
“Premtimi për pagën e 13-të po perceptohet si instrument politik për të zbutur pakënaqësinë, e jo si zgjidhje reale e problemeve. Koeficienti nuk po rritet, sindikatat janë të pakënaqura dhe fuqia blerëse e punëtorëve po bie çdo ditë për shkak të rritjes së çmimeve, një pagesë shtesë vjetore nuk e korrigjon padrejtësinë strukturore që po u bëhet punëtorëve të sektorit publik”, u shpreh ai.
Qorrolli shprehet se paga e 13-të nuk e ndal varfërimin e punëtorëve.
“Dëmet e shkaktuara po tentohen të mbulohen me një pagë shtesë që nuk e ndal varfërimin, se ajo që jepet formalisht, merret prapë përmes taksave, tatimeve dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës. Kjo e bën pagën e 13-të më shumë një mashtrim politik, sesa një masë reale për përmirësimin e jetesës së punëtorëve”, thotë Qorrolli.
Ai vlerëson se zgjidhja e domosdoshme do të ishte rritja reale e koeficientit dhe disa vendime tjera.
“Rritje reale e koeficientit, zbatim i plotë i kontratës kolektive, sigurim shëndetësor funksional për punëtorët publikë, kompensim i drejtë për ndërrimet e natës, punën jashtë orarit dhe rrezikshmërinë, dialog i sinqertë dhe serioz me sindikatat”, ka deklaruar Qorrolli për “Front Online”.