Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli, u paraqitën para mediave për të prezantuar konkluzionet e Misionit të rishikimit sipas Nenit IV, i zhvilluar në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt 2026.
Ismaili vlerësoi se ekonomia e Kosovës vazhdon të paraqesë qëndrueshmëri dhe ecuri pozitive, duke ndjekur një trajektore të qëndrueshme të rritjes, pavarësisht sfidave dhe rreziqeve të jashtme që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Sektori financiar, veçanërisht ai bankar, mbetet i qëndrueshëm, i kapitalizuar mirë, me likuiditet të lartë dhe me nivel të ulët të kredive joperformuese.
Guvernatori Ismaili theksoi se kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej 14.7%, ndërsa depozitat janë rritur me 13.0%. Kreditë joperformuese mbeten në nivel të ulët prej 2.1%, të mbështetura nga nivel i lartë i provizionimit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka arritur në 17.2%, mbi kërkesën rregullative prej 14.0%, ndërsa treguesit e likuiditetit (LCR dhe NSFR) mbeten dukshëm mbi kufijtë e përcaktuar rregullativë.

Duke folur për reformat, Guvernatori Ismaili informoi se BQK ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Nenit IV. Në fushën e mbikëqyrjes bankare është finalizuar drafti i parë i Manualit të SREP-it dhe janë zhvilluar instrumente të avancuara për vlerësimin e rreziqeve dhe automatizimin e proceseve mbikëqyrëse.
Ai po ashtu theksoi se miratimi dhe publikimi i Ligjit të ri për Bankat përbën një reformë madhore, e cila forcon qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ky Ligj është zhvilluar me mbështetjen e FMN-së në kuadër të konsultimeve të Nenit IV, Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), të përfunduara me sukses vitin e kaluar.
Në aspekt të stabilitetit financiar dhe në fushën e menaxhimit të krizave, po finalizohet korniza e rishikuar për Mbështetjen e Likuiditetit Emergjent, ndërsa Ligji i ri për Sigurimin e Depozitave pritet të avancojë me mbështetjen e Bankës Botërore. Gjithashtu, po forcohet korniza makroprudenciale dhe kapacitetet analitike përmes zhvillimit të modeleve të reja makroekonomike dhe projekteve shumëvjeçare të asistencës teknike me FMN-në.

Në aspektin e qeverisjes dhe transparencës, shumica e rekomandimeve të Vlerësimit të Masave Mbrojtëse (Safeguards Assessment) janë zbatuar, ndërsa raporti i vlerësimit sipas Kodit të Transparencës së Bankave Qendrore (CBT) së FMN-së është në fazë përfundimtare, me vlerësime të larta për BQK-në.
“Sa i përket sistemit të pagesave, BQK ka harmonizuar kornizën rregullative me legjislacionin e BE-së dhe ka dorëzuar para-aplikimin në DG FISMA. Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe ai për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit do të riiniciohen për miratim në Kuvend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paralelisht, po zhvillohet sistemi i pagesave të menjëhershme (TIPS Clone), si pjesë e modernizimit të infrastrukturës së pagesave”, thuhet në njoftim.
Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu për progresin në rregullimin e kripto-aseteve, përfshirë miratimin e Rregullores për Licencimin e Ofruesve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve dhe përcaktimin e afatit 1 mars 2026 për aplikim nga ofruesit ekzistues dhe potencialë dhe përshtatje me rregullativen në fuqi.
Në përmbyllje, Guvernatori i BQK-së theksoi se progresi i arritur në stabilitetin financiar, mbikëqyrjen, sistemin e pagesave, qeverisjen, integritetin financiar dhe harmonizimin me standardet e BE-së dëshmon përkushtimin e BQK-së për ndërtimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, transparent dhe modern, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe prosperitetit të vendit.