Në prag të festimeve për 18-vjetorin e shtetësisë, kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nderuar Republikën e Kosovës me një proklamatë të veçantë. Kryebashkiakja e Washington D.C., Muriel Bowser, ka nënshkruar një dokument zyrtar përmes së cilit shpall datën 17 Shkurt 2026 si “Dita e Pavarësisë së Kosovës” në Washington, D.C.
Në tekstin e proklamatës, Kryebashkiakja Bowser thekson arritjet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
“Republika e Kosovës ka bërë përparim të madh në promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e shtatit të saj ndërkombëtar,” thuhet në dokument.
Më tej, proklamata vë në pah marrëdhëniet e forta mes dy vendeve, duke e cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si “unike dhe të qëndrueshme”, të farkëtuar përmes vlerave të përbashkëta demokratike dhe respektit të thellë të ndërsjellë.
Dokumenti gjithashtu njeh dhe vlerëson rolin e diasporës, duke nënvizuar se qytetarët shqiptaro-amerikanë japin kontribute të rëndësishme në pasurimin kulturor dhe qytetar të Washingtonit.
Duke iu bashkuar komunitetit shqiptar dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në përkujtimin e këtij 18-vjetori, Kryebashkiakja Bowser zyrtarizon këtë ditë feste në kryeqytetin amerikan, duke rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës.
