Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, tha se në takimin me kryetarët e Komisioneve Parlamentare është diskutuar puna e Kuvendit të Kosovës, agjenda legjislative dhe çështje të tjera që lidhen me punën e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se ka kërkuar nga kryetarët e komisioneve që të vazhdojnë punën dhe bashkëpunimin me institucionet që i raportojnë Kuvendit, sepse sipas saj, roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e punës së institucioneve të pavarura është jashtëzakonisht i rëndësishme.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të intensifikohet puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës, prandaj edhe takimet tona, takimet e mia si kryetare e Kuvendit me komisionet parlamentare besoj që në këtë drejtim janë shumë të rëndësishme. Diskutuam për agjendën legjislative. Sigurisht që ne presim qeveria të procedojë programin qeverisës, të diskutojmë pastaj miratimin e agjendës legjislative. Disa ligje janë të gatshme, presim veç përcjelljen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kemi shumë obligime edhe në raport me planin e rritjes, por edhe dokumente të tjera, prandaj u dakorduam që të vazhdojmë pa vonesa. Shembujt e kaluar ku projektligjet kanë mbetur për vite ndoshta të bllokuara në komisionet parlamentare duhet të marrin fund. Rregullorja e punës së Kuvendit parashah afate strikte për trajtimin e projektligjeve, prandaj edhe duhet të kujdesemi që këto afate të zbatohen. Në anën tjetër janë 33 institucione të pavarura që i raportojnë Kuvendit. Në fund të muajit mars ato obligohen që raportet e tyre t’ia dorëzojnë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sigurisht se situata me moskonstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë, pra nga viti 2025, paraqet problem në vete, sepse shumë prej raporteve nuk janë trajtuar, shumë prej raporteve pra presin të trajtohen”, tha ajo.
Haxhiu tha se janë 36 pozita që duhet të plotësohen nga Kuvendi.
“Kërkova nga kryetarët e komisioneve që të vazhdojnë punën dhe bashkëpunimin me institucionet që i raportojnë Kuvendit, sepse roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e punës së institucioneve të pavarura këtu nuk hyn vetëm qeveria, këtu patjetër është qeveria por edhe institucionet e tjera është jashtëzakonisht e rëndësishme që të adresohet si përgjithësi. Pastaj janë 36 vende, pozita, që duhet të plotësohen nga Kuvendi, apo institucione ku Kuvendi duhet të delegojë anëtarët e zgjedhur prej tij. Në këtë rast, 14 vende varen vetëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit tha se përgjatë takimit janë pajtuar që t’i adresojnë përgjegjësitë që kanë.
“Pra me inicimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës këto vende mund të plotësohen, dhe këtu hyjnë institucione shumë të rëndësishme. Për shembull, e kemi Gjykatën Kushtetuese me dy anëtarë, presin që Kuvendi t’i zgjedh në Gjykatën Kushtetuese, është Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Avokatit të Popullit i ka përfunduar mandati dhe katër zëvendësve të tij. Prandaj edhe duhet të veprojmë pa vonesa në këtë drejtim. Në parim, të gjithë kryetarët e komisioneve u pajtuan që do t’i adresojnë përgjegjësitë që kanë, sepse për disa raste varet veprimi i kryetarit të Kuvendit, në anën tjetër për disa kryetarit apo kryetares së komisionit, në përgjithësi të komisionit”, tha ajo.
