Presidenti nuk është plaçkë partie

Prishtinë | 27 Shk 2026 | 15:46 | Nga Imer Mushkolaj

Sa herë afrohet momenti i zgjedhjes së presidentit, nis një teatër politik. Emra që qarkullojnë  korridoreve, kalkulime votash, pazare të heshtura dhe deklarata publike për “unitet kombëtar”, që shpesh janë vetëm perde tymi për interesa të ngushta partiake. Presidenti i cili, sipas Kushtetutës, duhet të jetë figurë mbi palët, përfundon i reduktuar në një pazar politik. Dhe kështu, institucioni që duhet të mishërojë unitetin e shtetit, bëhet peng i matematikave partiake.

Refuzimi i familjes Jashari për ta pranuar një propozim eventual për postin e presidentit ishte një goditje e fortë për partitë politike. Jo për shkak të emrit në vetvete, por për mesazhin që dha. Familja që simbolizon sakrificën më të madhe për lirinë e Kosovës nuk pranoi të bëhet pjesë e kalkulimeve politike. Ky refuzim i nxori lakuriq partitë: iu tregoi qytetarëve se sa lehtë përdoren emrat e mëdhenj për konsum ditor dhe sa pak seriozisht trajtohet institucioni i presidentit.

Kur një familje me peshë historike dhe morale refuzon të hyjë në lojën e partive, problemi nuk është tek ajo familje, por te politika që mendon se simbolika e sakrificës mund të shfrytëzohet për të mbuluar mungesën e koncensusit. Refuzimi ishte akt dinjitoz, por edhe akuzë e heshtur ndaj një klase politike që shpesh kërkon figura për t’i vendosur në krye, pa e arritur më parë marrëveshjen politike që i jep kuptim asaj figure.

Zgjedhja e presidentit nuk është çështje marketingu. Nuk është as çështje protagonizmi personal të liderëve. Është provë e pjekurisë politike. Kushtetuta kërkon shumicë të cilësuar në raundet e para, pikërisht për t’i detyruar partitë politike të flasin me njëra-tjetrën. Ideja është e qartë: presidenti duhet të jetë produkt i kompromisit, jo i imponimit.

Por në praktikë, partitë shpesh sillen sikur kompromisi është dobësi. Çdo lëshim shihet si humbje. Çdo marrëveshje si tradhti ndaj elektoratit. Dhe kështu, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja vetëm sepse liderët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për një post që, në thelb, duhet të jetë përtej partive.

Kosova nuk ka luksin e krizave të fabrikuara. Nuk ka luksin që çdo nyje institucionale të shndërrohet në betejë për pushtet. Në një shtet me sfida të mëdha të brendshme dhe të jashtme, stabiliteti institucional është minimumi i përgjegjësisë. Zgjedhjet e parakohshme, për shkak të dështimit për ta zgjedhur presidentin, do të ishin dështim kolektiv i klasës politike.

Refuzimi i familjes Jashari duhet të shërbejë si moment reflektimi. Jo për të kërkuar emra të tjerë simbolikë që do të përdoren si kartë morale, por për të kuptuar se presidenti nuk zgjedhet me emocione, por me marrëveshje politike të qarta. Simbolika nuk e zëvendëson koncensusin. Historia nuk e zëvendëson votën.

Partitë politike duhet të dëshmojnë pjekuri. Jo me deklarata për media, por me veprime konkrete. Duhet të ulen në tryezë pa vija të kuqe artificiale. Duhet ta pranojnë se askush nuk i ka votat i vetëm për ta imponuar kandidatin. Dhe pikërisht aty qëndron thelbi i demokracisë parlamentare: te nevoja për bashkëpunim.

Të shohësh përtej interesave të ngushta nënkupton të kuptosh se presidenti i sotëm do të jetë garant i stabilitetit për vite me radhë. Do të përfaqësojë vendin jashtë, do të ketë rol në proceset e ndjeshme, do të jetë faktor në momente krizash. Prandaj, zgjedhja e tij nuk mund të reduktohet në pyetjen: “Sa na konvenon neve?”

Koncensusi nuk është kompromis me parimet, por kompromis me realitetin politik. Nëse partitë arrijnë të pajtohen për një figurë që ka integritet, përvojë dhe pranim të gjerë, ato nuk humbin. Përkundrazi, fitojnë legjitimitet. Fitojnë besimin e qytetarëve se janë të afta të vendosin interesin e shtetit mbi interesin e partisë.

Në të kundërtën, nëse zgjedhja e presidentit kthehet në arsye për zgjedhje të reja, mesazhi që u dërgohet qytetarëve është i qartë: pushteti ka më shumë rëndësi se stabiliteti. Dhe ky është luks i papranueshëm në një vend që ende ndërton institucione dhe besim.

Refuzimi i familjes Jashari ishte pasqyrë. Ajo pasqyrë tregoi një politikë që kërkon strehë te emrat e mëdhenj për të shmangur përgjegjësinë e vet. Por përgjegjësia nuk delegohet. Ajo merret. Dhe sot, përgjegjësia është e partive politike.

Presidenti i ardhshëm nuk duhet të jetë as triumf i njërit kamp, as disfatë e tjetrit. Duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje që i jep vendit qetësi institucionale. Nëse partitë arrijnë ta bëjnë këtë, do të dëshmojnë se kanë mësuar diçka nga krizat e së kaluarës. Nëse jo, do të konfirmojnë se ende e shohin shtetin si zgjatim të interesit të tyre.

Kosova ka nevojë për një president që e mishëron unitetin, por para se ta ketë atë president, ka nevojë për parti që e kuptojnë se uniteti nuk shpallet, por ndërtohet. Dhe ndërtohet pikërisht në momente si ky.

Të ngjashme