Mbi 10 mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Mbi 10 mijë qytetarë kanë përfituar ndihmë juridike falas gjatë vitit 2025, ndërsa institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë vlerësuan se qasja në drejtësi mbetet një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit, raporton Ekonomia Online.

Këto vlerësime u dhanë në hapjen zyrtare të “Javës për Ndihmë Juridike Falas”, e cila u shënua me konferencën “Të bashkuar për qasje në drejtësi për të gjithë”.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se barazia nuk matet vetëm me ligjet dhe institucionet, por me mundësinë reale të qytetarëve për të pasur qasje në drejtësi.

“Barazia nuk matet vetëm me ligje që miratojmë, as vetëm me institucionet që ndërtojmë dhe forcojmë. Por matet me pyetjen nëse qytetari kur ka nevojë për drejtësi, ka qasjen e duhur në institucionet e drejtësisë dhe mund ta arrij atë. Prandaj ndihma juridike falas nuk është thjesht një shërbim që ofron shteti. Është një garanci që drejtësia të mos mbetet privilegj vetëm për ata që kanë më shumë para apo që e njohin sistemin, por të jetë e qasshme për secilin qytetar”, tha ajo.

Gërvalla tha se qëllimi i kësaj jave është informimi i qytetarëve për të drejtat e tyre dhe mundësitë për mbrojtjen e tyre, duke vlerësuar rolin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

“Sot po e hapim Javën e Ndihmës Juridike Falas me një qëllim të qartë të informojmë sa më shumë qytetarë për të drejtat e tyre dhe për mundësinë që kanë për t’i mbrojtur ato. Në këtë mision, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas luan një rol të pazëvendësueshëm. Përmes zyrave rajonale, zyrave mobile dhe bashkëpunimit me organizatat partnere, ndihma juridike falas sot është më afër qytetarëve se kurrë më parë. Arrin te gratë viktima të dhunës, te komunitetet joshumicë, te pranuesit e ndihmave sociale, pensionistët, nënat vetushqyese, te qytetarët që pa këtë mbështetje do ta kishin shumë më të vështirë të kërkonin dhe të gjenin drejtësi”, shtoi Gërvalla-Schwarz.

Duke paraqitur rezultatet e sistemit të ndihmës juridike falas, ajo tha se gjatë vitit 2025 janë ofruar shërbime për më shumë se 10 mijë qytetarë.

“Dhe rezultatet flasin vetë. Vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia dhe organizatat partnere kanë ofruar ndihmë juridike falas për më shumë se 10 mijë qytetarë. Forcimi i sistemit të ndihmës juridike falas mbetet prioritet për Ministrinë e Drejtësisë. Sepse shteti ligjor nuk ndërtohet vetëm duke miratuar ligje të mira, ai ndërtohet duke u siguruar që çdo qytetar të ketë mundësi reale t’i gëzojë dhe t’i mbrojë të drejtat që i garanton ligji”, tha ajo.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari, tha se qasja në drejtësi nuk nënkupton vetëm ekzistimin e ligjeve dhe institucioneve, por mundësinë reale të qytetarëve për t’i realizuar të drejtat e tyre.

“Qasja në drejtësi është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike. Ajo nuk nënkupton vetëm ekzistimin e ligjeve dhe institucioneve, por mundësinë reale që çdo qytetar të ketë në shtetin e të drejtës, për të mbrojtur dhe realizuar të drejtat e tij. Pikërisht ky është misioni i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Të nderuar të pranishëm, në zyrat tona nuk vijnë vetëm lëndë. Vijnë njerëz. Vijnë gra që kërkojnë mbrojtje nga dhuna, vijnë prindër që nuk dinë si t’i mbrojnë fëmijët e tyre, vijnë të rinj që përballen për herë të parë me institucionet, vijnë persona të diskriminuar, qytetarë që luftojnë për të drejtën në pronë, për pension, për dinjitet. E në atë moment, ndihma juridike falas nuk është vetëm procedurë. Ajo është orientim, është siguri, është fjala e parë e qartë në një situatë të vështirë dhe shpeshherë është hera e parë ku qytetari e ndjen se shteti po e dëgjon”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Tamar Khidasheli, tha se grupet e cenueshme dhe komunitetet joshumicë vazhdojnë të përballen me pengesa në qasjen në drejtësi.

“Qasja në drejtësi është një gurthemel i sundimit të ligjit. Megjithatë, për shumë individë, fatkeqësisht, veçanërisht për ata nga grupet e cenueshme dhe komunitetet joshumicë, këto të drejta mbeten të paarritshme. Pengesat ligjore, gjuhësore, ekonomike dhe strukturore vazhdojnë t’i pengojnë njerëzit që t’i ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të kërkojnë mjete juridike kur ato të drejta shkelen”, deklaroi ajo.

Khidasheli theksoi rëndësinë e informimit publik për të drejtat ligjore dhe mënyrat e qasjes në to.

“U përmend disa herë dhe më duhet ta ritheksoj: vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Ndikimi i tyre varet nga fakti nëse banorët e Kosovës janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe dinë se si t’i qasen atyre. Kjo është arsyeja pse informimi publik dhe ngritja e vetëdijes janë kaq të rëndësishme. Përmes përpjekjeve të synuara të komunikimit, përfshirë transmetimet televizive dhe komunikimin në rrjetet sociale, kjo nismë synon të sigurojë që informacioni të arrijë tek ata që kanë më së shumti nevojë për të. Duke vepruar kështu, ajo ndihmon në ngushtimin e hendekut ndërmjet të drejtave ligjore dhe realizimit të tyre praktik”, tha ajo.

Të ngjashme