Edhe pak ditë kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por në vend të emrave dhe marrëveshjeve konkrete, po cilësohet se ka dominuar paqartësia. Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se nga situatat e deritanishme vendi potencialisht mund të shkoj në zgjedhje.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymeri u shpreh se paritë politike në Kosovë i kanë filluar me vonesa diskutime për çështjen e presidentit.
“Po nëse nisemi nga mënyra qysh është trajtuar kjo çështje, domethënë me vonesat që i ka pasë, se ne e dimë që me thënë kështu, e folmja për president mes partive politike ka filluar shumë vonë për mendimin tim, sepse është ditë prej një kohe të gjatë që ne do të kemi nevojë për një president. Edhe meqë e kanë shprehë të gjithë, pra edhe partia më e madhe Vetëvendosje po edhe të tjerët, gatishmërinë për t’u ulur e biseduar për këtë gjë, mendoj që nuk ka kurrfarë kuptimi pse nuk u bë më herët edhe me e trajtu këtë çështje seriozisht”, tha ai.
Ymeri nuk e përjashtoi mundësinë e prezantimit të ndonjë emri për president nga kryeministri Albin Kurti në fund të afatit.
“Dhe nëse nisemi nga kjo, po edhe nga deklarimet publike të deri tashme, më shumë ngjason që do të ketë zgjedhje sesa mundësi për me zgjedhë një president, përveç nëse do të ketë një befasi në moment të fundit të cilën nuk mundemi me e refuzuar tjerët. Pra sjellja e zotit Kurti, duke qenë kryetar i partisë më të madhe, i ka dy mundësi: ose po don me shku në zgjedhje ose po don me e pru një emër në fund të afatit në Kuvend për t’i nxënë në befasi, do të thosha, partitë opozitare duke llogaritë mosgatishmërinë e tyre për me shku në zgjedhje dhe kështu me arritë me zgjedhë presidentin të cilin ai do ta kishte plotësisht në kontroll”, theksoi ai.
Ai tha se kandidimi i presidentes aktuale Vjosa Osmani nuk po gjen mbështetjen nga partia në pushtet dhe partitë opozitare.
“Prandaj mendoj që është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm në të cilin partitë opozitare duhet të jenë të vëmendshme dhe të mos bien pre e këtij shantazhi potencial që mund me ardhë nga zoti Kurti. Deri tash ne kemi pasë vetëm një diskutim që u duk pak më serioz, që ishte pra bisedimet që zoti Kurti i kishte zhvilluar me familjen Jashari për potencialisht njërin prej tyre si kandidat për president, mirëpo kjo temë u mbyll me deklaratën e zotit Murat Jashari dhe tash pra nuk ekziston. Ky opsioni tjetër që është në tavolinë është gatishmëria e presidentes aktuale për një mandat të dytë, ose më mirë thënë fushata e saj për një mandat të dytë, por e cila nuk po duket se po gjen mbështetje te asnjë prej partive politike, e aq më pak te Lëvizja Vetëvendosje”, nënvizoi Ymeri.
Ai thotë se vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje dhe se nuk sheh ndonjë arsye për një vendim të tillë.
“Mendoj që jo. Unë mendoj që do të kishte me qenë jashtëzakonisht e dëmshme për vendin me shku në zgjedhje, meqë nuk është se s’kemi pasë zgjedhje këto vitet e fundit më shumë kemi pasë zgjedhje sesa çfarëdo pune tjetër. Nuk jemi në një situatë fort të volitshme për me shku edhe një herë në zgjedhje, pastaj edhe me vonesa tjera në themelimin e institucioneve. Dhe çka është edhe më me rëndësi, nuk e di se si e zgjidhin zgjedhjet këtë çështjen e presidentit. Pra, a po sugjeron ose a po shpreson Kurti që do t’i ketë aq deputetë sa ta zgjedhin presidentin vetë? Kjo është e pamundur. Kështu që në këtë drejtim nuk shoh kurrfarë arsyeje për me shku në zgjedhje. Mirëpo, duke e thënë këtë, unë nuk mendoj që partitë opozitare duhet që të pranojnë çfarëdo që mund t’u vijë në Kuvend e në tavolinë vetëm e vetëm që t’i shmangen zgjedhjeve, sepse shkuarja ose jo në zgjedhje është përgjegjësi e Kurtit dhe nuk është e të tjerëve, për shkak të madhësisë ose numrit të deputetëve që ai ka në Kuvend”, theksoi tutje ai.
Sa i përket takimeve të Kurtit me dy parti opozitare siç është PDK-ja dhe LDK-ja ndërsa me AAK-në ende, ai thotë se do të duhej të takohej me të gjithë.
“Po sheh tash, natyrisht unë mendoj parimisht që është dashtë me u taku me të gjithë. Sidoqoftë, ka kuptim pse i takon disa prej partive, pra i takon ato parti të cilat kanë numër të mjaftueshëm deputetësh përmes të cilave ose përmes marrëveshjes me të cilat mundesh me arritë 80-shen e nevojshme. Me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk kishte mund me arritë një gjë të tillë, por unë mendoj që prapë është dashtë me u thirrë sepse janë parti parlamentare. Mendoj që nëse ideja është me arritë një emër të pranueshëm për të gjithë, atëherë ai ishte dashtë me qenë i pranueshëm për të gjithë e jo vetëm për numrin e mjaftueshëm të deputetëve”, u shpreh ai.
Ymeri potencon se takimet e bëra me partitë opozitare nga Kurti nuk janë të qëllimit për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje.
“Sidoqoftë, takimet në formë janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme. Pra natyrisht që kur ti ke nevojë për vota, pastaj ulesh dhe flet me të tjerët që mund t’i ofrojnë ato vota. Koha kur e ka bërë këtë Kurti dhe mënyra qysh po e bën, mua nuk po më duket që e ka qëllimin e gjetjes së një zgjidhjeje. Sepse duhet me qenë të sinqertë: nëse ti do vërtet që ta arrish zgjedhjen e një presidenti, një kandidati kushdo qoftë ai, përmes marrëveshjes me partitë, atëherë ti duhet me garantu që edhe ato parti të cilat po hyjnë në marrëveshje me ty do të përfitojnë diçka nga kjo marrëveshje. S’mundet me pasë marrëveshje ku vetëm njëra palë fiton. Pra, ta zëmë, Kurti e ka interes me e zgjedh presidentin meqë është kryeministër dhe do me vazhdu, dhe atëherë bën marrëveshje me njërën prej partive LDK-në, PDK-në ose cilëndo që do të nënkuptonte potencialisht ndarje të pushtetit në qeveri ose diçka tjetër që do të ishte e favorshme për atë parti. Kjo kërkesa që “ne po e bëjmë qeverinë, po i kryejmë të gjitha institucionet dhe pastaj hajde po flasim për presidentin”, në të cilën kërkon që t’ia votojnë presidentin ose presidenten pa u dhënë asgjë, kjo mendoj që nuk është rrugë për marrëveshje por është rrugë për nënshtrim. Dhe shumë mirë nëse nuk e pranojnë partitë opozitare një nënshtrim të tillë”, shtoi Ymeri.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi – në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Osmani e ka bërë të qartë se synon mandat të ri, por Kurti – partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën në Kuvend – nuk e përmendi emrin e saj.
Ai nuk e përjashtoi kategorikisht, por vuri në dukje se do të ishte e kotë që partia të propozonte një kandidat, pasi e vetme mund të sigurojë maksimumi 66 vota – shumë larg numrit prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Për këtë çështje, Kurti takoi kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare – të dielën, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe të hënën, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
