Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Qasja e ekzekutivit në të dhënat penale të qytetarëve”, ku analizon Draft Udhëzimin Administrativ (Draft-UA) për përcaktimin e qasjes së Ministria e Drejtësisë (MD) në Sistemin e Evidencës Penale (SEP), databazë që përmban të dhëna mbi dënimet penale të qytetarëve dhe që administrohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sipas IKD-së, Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale (Ligji për SQEP) i njeh MD-së qasje në këtë sistem, “por vetëm në raport me kompetencat që ajo ka”. Raporti thekson se, bazuar në këto kompetenca, qasja e MD-së “lidhet ekskluzivisht vetëm me shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave për persona të dënuar, sipas legjislacionit në fuqi”, ndërsa përtej kësaj, “MD nuk ka të drejtë të ketë forma tjera të qasjes në SEP”.
Në raport thuhet se Ligji për SQEP nuk e trajton “qasjen e plotë” si të drejtë të pakufizuar për hyrje në të dhënat penale të qytetarëve, por e ndërlidh atë me funksionet konkrete të MD-së. “Pra, ‘qasja e plotë’ nuk është literale, por funksionale, ajo ekziston vetëm në masën që i nevojitet MD-së për ushtrimin e detyrave të saj të përcaktuara me ligj”, thuhet në raport. Sipas IKD-së, Draft-UA “e shkëput këtë lidhje dhe e interpreton termin në kuptimin e tij literal, si të drejtë për qasje të përgjithshme në të dhënat penale të qytetarëve”.
Tutje, IKD vlerëson se Draft-UA nuk kufizohet vetëm në rregullimin e hyrjes në sistem sipas kufizimeve ligjore, por parasheh që MD të mund të tërheqë të dhëna nga SEP, të krijojë kopje të tyre, të përpunojë të dhëna individuale dhe masive, t’i përdorë për analiza e statistika, si dhe të ruajë regjistra të qasjes “për periudha shumë të gjata, deri edhe përgjithmonë në rastin e qasjes në të dhëna masive”.
“Andaj, në këtë mënyrë, roli i MD-së zhvendoset nga një përdorues sipas kompetencave që ka në fushën e shkëmbimit ndërkombëtar të të dhënave për personat e dënuar, në një qasje të pakufizuar në të dhënat e ndjeshme personale të qytetarëve”, thekson raporti.
Sipas analizës së IKD-së, një qasje e tillë “nuk gjen mbështetje në Ligj”, pasi Ligji për SQEP e lidh qasjen e MD-së me kompetencat e saj konkrete, ndërsa Draft-UA “krijon mundësi që të dhënat penale të tërhiqen, të kopjohen dhe të përpunohen jashtë kontrollit institucional të sistemit gjyqësor”.
Raporti rikujton se të dhënat nga evidenca penale, sipas ligjit dhe jurisprudencës së Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë të dhëna të ndjeshme personale që lidhen drejtpërdrejt me jetën private dhe reputacionin e qytetarëve. “Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përpunimi i tyre duhet të jetë i kufizuar dhe i domosdoshëm për një qëllim të caktuar”, thuhet në raport, ndërsa Draft-UA, sipas IKD-së, “lejon përpunim masiv dhe përdorim analitik të tyre, si dhe ruajtje pa kufizime të qarta kohore”.
Sipas IKD, standardet e GjEDNj-së kërkojnë rregulla të qarta dhe kufij të saktë për mbledhjen, përdorimin dhe ruajtjen e të dhënave të ndjeshme. Ndërkaq, Draft-UA “krijon një hapësirë të gjerë diskrecioni për qasje dhe përpunim të të dhënave, përfshirë edhe përpunimin masiv dhe ruajtjen pa afat, pa garanci të mjaftueshme kundër përdorimit të tyre arbitrar”.
IKD konsideron se Draft-UA “nuk mund të përmirësohet përmes ndryshimeve të pjesshme, por kërkon rishikim dhe ridraftim të plotë”. Sipas institutit, çdo qasje e MD-së në SEP duhet të kufizohet qartë në kompetencat që i njeh ligji, në mënyrë që të respektohet baza ligjore dhe të mbrohen të dhënat e ndjeshme të qytetarëve.
“Në të kundërtën, nëse Draft-UA mbetet në formën aktuale, ai mund të perceptohet si tendencë për përdorim politik të të dhënave penale të qytetarëve”, thotë tutje raporti i IKD-së.