Epopeja e UÇK-së, Balla: Adem Jashari dhe familja e tij dëshmorë të pavdekshëm të kombit

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Socialiste në Shëipëri, Taulant Balla, me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka përkujtuar rënien heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij në Prekaz, një nga momentet më të dhimbshme dhe më heroike të historisë së Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.

Përmes një mesazhi në Facebook, Balla theksoi se sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës mbetet simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për atdheun.

Sipas tij, ata u flijuan për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar, duke hyrë përgjithmonë në histori si dëshmorë të pavdekshëm të kombit shqiptar.

“Sot përkujtojmë një nga momentet më të dhimbshme dhe më heroike të historisë së Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar: rënien heroike të Adem Jasharit dhe të anëtarëve të familjes së tij në Prekaz. Sakrifica e tyre sublime për lirinë e Kosovës mbetet një simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për atdheun. Ata u flijuan për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar, duke hyrë përgjithmonë në historinë tonë si dëshmorë të pavdekshëm të kombit shqiptar. Në nderim të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe të gjithë anëtarëve të familjes së tij që ranë dëshmorë për liri, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Balla në Facebook.

Për nder të Epopesë së UÇK-së, në Kuvendin e Shqipërisë është mbajtur edhe 1 minutë heshtje.

Të ngjashme