Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian, duke theksuar se fokusi i aleancës në Kosovë mbetet ruajtja e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.
Sipas tij, KFOR vazhdon të përmbushë mandatin e saj për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
Misioni i NATO-s në Kosovë vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre si përgjegjës për sigurinë në vend.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, brenda kuadrit të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR.
Aktualisht, SHBA-ja ka rreth 600 trupa të dislokuara në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe udhëheq Komandën Rajonale Lindje (RC-East). Kjo komandë kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit përmes patrullimeve, ushtrimeve ushtarake, takimeve me përfaqësues të komuniteteve lokale, si dhe mbështetjes për projekte të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.