Sindikata e ndërmarrjes “Prishtina Parking” ka njoftuar se do të organizojë protestë më 25 mars në kryeqytet, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me menaxhmentin lidhur me kërkesat e punëtorëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Sindikatës, vendimi për protestë është marrë në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur më 27 shkurt 2026, ku është diskutuar situata aktuale dhe kërkesat e adresuara ndaj drejtuesve të ndërmarrjes. Sindikata thekson se mungesa e një marrëveshjeje për rritjen e pagave dhe çështje të tjera ka detyruar ndërmarrjen e hapit të protestës.
Në njoftim bëhet e ditur se protesta do të mbahet më 25 mars 2026, duke filluar nga ora 14:00, para zyrave të “Prishtina Parking” në rrugën “Besa Imami”, prapa zyrave qendrore të Raiffeisen Bank në Prishtinë.
Sindikalistët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, duke filluar me rritjen e pagave për punëtorët në vlerë prej 300 euro, në përputhje me koston e jetesës dhe parimin e pagës së drejtë. Po ashtu, ata kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të obligimeve financiare ndaj sindikatës, sipas marrëveshjeve dhe legjislacionit në fuqi.
Një tjetër kërkesë lidhet me shlyerjen e borxhit ndaj punëtorëve në vlerë prej 250 euro për muajin shtator, ndërsa kërkohet edhe sigurimi i shujtave për punëtorët, në përputhje me natyrën e punës dhe kushtet në terren.
Në mesin e kërkesave është edhe rregullimi dhe pagesa e sigurimit shëndetësor për të gjithë punëtorët, si obligim i punëdhënësit.
Sindikata ka bërë të ditur se përmes kësaj proteste synon mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve të “Prishtina Parking”, duke u bërë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit që të jenë të informuara për zhvillimin e saj.