Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka akuzuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke rikthyer në vëmendje një deklaratë të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Musliu-Shoshi ka publikuar në Facebook një video nga përballja e Daçiçit me Gërvallën, ku diplomati serb e kishte falënderuar atë për, siç pretendonte ai, ndihmën në akuzimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në Hagë.
“Ky ka qenë misioni i Donikës!”, ka shkruar Musliu-Shoshi në postimin e saj.
Ajo ka vazhduar reagimin me kritika ndaj pozitës që Gërvalla mban sot në institucionet e Kosovës.
“E sot, në ditët më të errëta të Kosovës, kjo është Ministrja e Drejtësisë. Edhe sa me duru kjo tokë?!”, ka shkruar deputetja e PDK-së.
Deklaratat e Daçiçit për Gërvallën datojnë nga seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill të vitit 2023. Ai pretendonte se Gërvalla kishte mbledhur dhe dërguar materiale që kishin ndihmuar në akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit. Gërvalla, në përgjigjen e saj, e kishte mohuar këtë dhe kishte thënë se pretendimi i Daçiçit nuk ishte i vërtetë.