Kornizë e re rregullatore për influencerët në Maqedoni

Prishtinë | 20 Mar 2026 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Influencerët në Maqedoninë e Veriut duhet të pranojnë faktin se fuqia e tyre e ndikimit nuk është më vetëm çështje pëlqimesh dhe ndjekësish, por dhe një përgjegjësi serioze ligjore dhe etike.

Hapësira digjitale në Maqedoninë e Veriut, e cila për një kohë të gjatë konsiderohej e parregulluar, hyri në janar të vitit të kaluar në një fazë formalizimi. Në vijim të këtij procesi një ligj i ri i miratuar në korrik 2025 përcakton detyrime dhe përgjegjësi të qarta për influencerët, vlogerët dhe krijuesit e përmbajtjeve për mediat sociale.

Por ky ndryshim shkaktoi një stuhi reagimesh në komunitetin digjital, duke ngritur pyetje mbi kufirin e brishtë mes lirisë së shprehjes, aktivitetit ekonomik dhe interesit publik.

Cili konsiderohet si influencer?

Rregullorja nuk përfshin të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale, por vetëm ata që plotësojnë gjashtë kushte. Sipas Agjencisë për Shërbime Mediatike dhe Audiovizuale të Maqedonisë së Veriut që një person të konsiderohet ofrues i shërbimeve mediatike audiovizuale, ai duhet të marrë vendime editoriale, të publikojë në mënyrë aktive të paktën 24 video në vit, të ketë mbi 10,000 ndjekës dhe, më e rëndësishmja, të gjenerojë të ardhura nga kjo veprimtari.

Të ardhurat nuk përkufizohen vetëm si pagesa direkte në para. Agjencia sqaron se çdo dhuratë, shërbim falas, ushqim në restorant apo udhëtim i marrë në këmbim të promovimit përbën aktivitet ekonomik. Siç theksohet, ky përkufizim është në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian për Shërbimet Mediatike Audiovizuale, për të parandaluar reklamat e fshehta dhe komunikimin e fshehtë komercial.

Krijuesit e përmbajtjeve për mediat sociale tani janë të detyruartë mbrojnë vazhdimisht të mituritnga përmbajtjet që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre. Kjo përfshin përdorimin e detyrueshëm të etiketave sipas moshës dhe paralajmërimeve të qarta në fillim të videove ose formave të tjera të transmetimit.

Transparenca në reklamim është një tjetër pikë kritike. Çdo përmbajtje komerciale duhet të shoqërohet qartë me shënjues të tillë si “#ad”, “#sponsored” ose “paid partnership”.

“Reklamimi i fshehtëështë rreptësisht i ndaluar, pasi publiku ka të drejtë të dijë kur dikush po përpiqet t’i bindë të blejnë një produkt ose shërbim në këmbim të kompensimit. Për më tepër, promovimi i duhanit, drogave, armëve dhe produkteve mjekësore që jepen vetëm me recetë, është krejtësisht i ndaluar”, deklaron Agjencia në dokumentin e saj.

Që nga 19 shkurti i këtij viti në regjistrin e këtij institucioni janë të regjistruar zyrtarisht njëmbëdhjetë influencerë, kurse një është çregjistruar. Përtej kësaj liste Agjencia nuk ka të dhëna mbi numrin e përgjithshëm të influencerëve në Maqedoninë e Veriut.

Krijuesit përballë rregullatorëve

Ndërkohë në vend u themelua “Shoqata e Influencerëve dhe Krijuesve të Përmbajtjeve Digjitale”. Ajo reagoi fuqishëm ndaj narrativave publike që e etiketojnë industrinë si pjesë të “zonës gri”. Influencerët i refuzojnë aludimet se punojnë me “para të zeza”, duke theksuar se bashkëpunimet e tyre realizohen me kontrata dhe se paguajnë edhe tatim mbi të ardhurat personale. Shoqata thotë se kërkon liri kreative dhe fleksibilitet, ndërsa rregullatorët synojnë mbrojtjen e publikut dhe parandalimin e abuzimeve ekonomike.

“Pozicioni ynë është i qartë: ne nuk i shmangemi transparencës dhe nuk i shmagemi as përgjegjësisë dhe as rregullave. Por rregullimi duhet të jetë ligjor, proporcional dhe në përputhje me praktikat evropiane,” deklaroi shoqata në reagimin e saj më të fundit.

Shoqata shprehu shqetësimin se Agjencia po merr rolin e Zyrës së të Ardhurave Publike dhe se po ushtrohet presion ndaj kompanive që të mos bashkëpunojnë me influencerë të paregjistruar, gjë që sipas tyre nuk ka bazë ligjore.

Nga ana tjetër Agjencia pretendon se procesi ishte përfshirës. Ata theksojnë se pragun fillestar për regjistrim e kishin vendosur për ata që kanë 30,000 ndjekës, por me kërkesë të vetë influencerëve ky prag u ul në 10,000. Agjencia thekson se qëllimi i saj nuk është të kufizojë lirinë e shprehjes, por të vendosë rregulla të qarta për aktivitetin ekonomik.

“Mendimet e influencerëve u morën shumë seriozisht parasysh gjatë përgatitjes së Udhëzuesit, dhe ato që ishin brenda kornizës së normave ligjore dhe praktikës evropiane u pranuan,” tha Agjencia për Deutsche Welle.

Agjencia ka njoftuar se do të kryejë mbikëqyrje të rregullt, të kontrolluar dhe të jashtëzakonshme. Influencerët e regjistruar do të paguajnë një tarifë mbikëqyrjeje prej 0.5% të të ardhurave të tyre të përgjithme vjetore. Në rast të heqjes së ndonjë videoje nga platformat ata janë gjithashtu të detyruar t’i ruajnë videot e tyre në formë të paprekur për të paktën deri në 30 ditë më pas për qëllime të mundshme mbikëqyrjeje ose gjyqësore.

Pas reagimeve të influencerëve edhe Ministria e Transformimit Digjital shprehu pozicionin e saj, duke theksuar se nevijitet dialog.

“Ministria beson se çdo rregullore që prek një sektor dinamik dhe me rritje të shpejtë, si krijimi i përmbajtjeve digjitale, duhet të jetë proporcionale, e qartë dhe në dialog të vazhdueshëm me aktorët e përfshirë. Vetërregullimi dhe kodet e sjelljes janë instrumente legjitime në praktikën evropiane, të cilat duhet të plotësojnë kornizën ligjore që siguron mbrojtjen e interesit publik, transparencën e përmbajtjes komerciale dhe mbrojtjen e të miturve,” deklaroi Ministria.

Më vonë ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Influencerëve dhe njoftoi se do të zhvillohen takime me të gjithë aktorët e përfshirë, për të shqyrtuar mundësitë për sqarime ose përmirësime të rregullores. Shoqata e influencerëve shprehu gatishmërinë “për diskutim konstruktiv dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.”

Influencerët në rolin e redaktorëve

Rregullat e reja përcaktojnë që influencerët nuk duhet të nxisin dhunë, diskriminim apo gjuhë urrejtjeje. “Diskutimi se ç’përbën gjuhë urrejtjeje në mënyrën se si zhvillohet sot është bërë aq i përgjithshëm, sa shumë vetë konsiderojnë si gjuhë urrejtjeje atë që nuk u pëlqen,” thuhet në udhëzuesin e Agjencisë.

Sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, influencerët janë gjithashtu përgjegjës për komentet nën postimet e tyre, që do të thotë se ata duhet të moderojnë aktivisht komunitetet e tyre.

Sa i përket përmbajtjes, janë vendosur kufij të rreptë për atë që quhet “product placement”. Kjo teknikë nuk duhet të përdoret në podkaste që trajtojnë lajme ose tema politike aktuale, as në video të destinuara për fëmijë. Krijuesit nuk duhet të promovojnë prodhime në mënyrë “ofenduese” ose të nxisin drejtpërdrejt shikuesit për të blerë prodhime të caktuara përmes lavdërimeve të ekzagjeruara.

Një ndryshim mbarëbotëror drejt llogaridhënies prej influencerëve

Sipas të dhënave të fundit të Eurobarometer për vitin 2025, deri në 74% e të rinjve të moshës 15–24 vjeç ndjekin influencerë në rrjetet sociale. Nga këta, 38% i ndjekin për komente për tema sociale dhe politike, gjë që tregon fuqinë e madhe të tyre për të formësuar opinionin publik.

Bota po merr tashmë masa drastike. Kina, për shembull, ka miratuar një ligj që kërkon që influencerët që flasin për tema sensitive si mjekësia, ligjet ose financat të kenë një diplomë të përshtatshme ose certifikatë profesionale. Edhe Shqipëria po synon zgjidhje të ngjashme.

Modeli maqedonas përpiqet të ndjekë këto prirje, duke këmbëngulur që influencerët nuk janë më thjesht individë që regjistrojnë video argëtuese, por entitete me ndikim të konsiderueshëm mbi publikun./DW/

Të ngjashme