Hoxhaj kujton ndërhyrjen e NATO-s: Ky duhet të jetë përvjetori i fundit pa krerët e UÇK-së në Kosovë

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, Enver Hoxhaj ka kujtuar këtë ngjarje si momentin vendimtar që ndali gjenocidin në Kosovë dhe hapi rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka treguar edhe për një vizitë të tij në një bazë ushtarake të NATO-s në vendet baltike, ku kishte parë nga afër një nga aeroplanët që kishte marrë pjesë në bombardimet mbi Serbi në vitin 1999.

“Para 27 vitesh, bota u bashkua për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Sot kujtojmë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një moment vendimtar që i dha fund dhunës dhe na dha lirinë që kemi sot,” ka thënë Hoxhaj.

Ai ka shtuar se gjatë një vizite në një bazë të NATO-s në Baltik, afër Rusisë, kishte parë një nga aeroplanët që hodhi më së shumti bomba mbi Serbi.

“Ky aeroplan nuk është vetëm një pjesë e historisë, por një kujtim i përjetshëm i lirisë dhe drejtësisë që kemi sot,” është shprehur ai.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohje të përhershme ndaj aleatëve perëndimorë për rolin e tyre në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Falënderues përherë ndaj ShBA-së, BE-së dhe Perëndimit për mbështetjen e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,” ka deklaruar ai.

Në fund, ai ka theksuar se beson që ky është përvjetori i fundit i ndërhyrjes së NATO-s pa ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë, duke përmendur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndërhyrja e NATO kundër Serbisë filloi më 24 mars 1999 dhe konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës, pasi i dha fund luftës dhe çoi drejt çlirimit të vendit.

Të ngjashme