Hoti takon sindikatat dhe punëdhënësit, në fokus të drejtat e punëtorëve dhe punësimi

Prishtinë | 23 Tet 2026 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka udhëhequr takimin e parë të “Tryezës me partnerët socialë”, ku janë diskutuar të drejtat e punëtorëve, nxitja e punësimit dhe avancimi i dialogut social.

Sipas komunikatës së ministrisë, Hoti gjatë takimit ka prezantuar të arriturat e deritanishme të ministrisë, objektivat për periudhën e ardhshme dhe prioritetet legjislative për vitet 2026–2027.

Në diskutimin me përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve janë trajtuar çështje që lidhen me marrëdhëniet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, ndërsa pjesëmarrësit kanë shkëmbyer pikëpamje dhe propozime për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve.

Ministri Hoti ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së partnerëve socialë në proceset e hartimit të politikave dhe legjislacionit.

Ai ka vënë në pah nevojën që përmes konsultimeve dhe pjesëmarrjes aktive të sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve të sigurohet një dialog më i avancuar social.

Gjatë takimit, po ashtu, është diskutuar për konstituimin dhe funksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-Social, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet partnerëve socialë.

Të ngjashme