Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka uruar besimtarët me rastin e festës së Pashkëve, duke theksuar rëndësinë e vlerave që kjo ditë përçon për shoqërinë.
Në mesazhin e saj, ajo ka nënvizuar se Pashkët shërbejnë si kujtesë për fuqinë e besimit, shpresës dhe solidaritetit, të cilat, sipas saj, janë thelbësore për qëndrueshmërinë e shoqërisë, veçanërisht në periudha sfiduese.
“Uroj që kjo festë të sjellë paqe në çdo familje dhe gëzim në çdo shtëpi,” është shprehur ajo, duke shtuar se kjo ditë duhet të shfrytëzohet edhe si moment reflektimi dhe afrimi mes njerëzve.
Haxhiu ka bërë thirrje për përkujdesje të ndërsjellë, ruajtje të dinjitetit njerëzor dhe forcim të lidhjeve shoqërore, duke theksuar se këto vlera janë baza që mbajnë të bashkuar komunitetin.