Fernandes mbron Maguire: Jo vetëm “emra të rinj”

Prishtinë | 10 Pri 2026 | 19:04 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka pranuar se tifozët shpesh kërkojnë “emra të rinj” në merkato, por ka mbrojtur fuqishëm vendimin e klubit për të rinovuar kontratën e Harry Maguire.

Mesfushori portugez theksoi se, në futboll, tifozët kanë tendencë të lodhen nga të njëjtët lojtarë dhe kërkojnë ndryshim, por shpesh i vlerësojnë ata vetëm pasi largohen.

Ai përdori një krahasim të drejtpërdrejtë, duke thënë se njerëzit gjithmonë duan diçka “të freskët”, por kur ndryshimet nuk funksionojnë, kërkojnë rikthimin e atyre që ishin më parë.

Maguire ka rinovuar kontratën me klubin për edhe një vit, me opsion për një sezon shtesë, në një moment kur United po kalon një periudhë tranzicioni.

Fernandes vlerësoi lart rolin e mbrojtësit anglez, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe ndikimit të tij në dhomat e zhveshjes.

Sipas tij, në një sezon me ndryshime të mëdha, është jetike që disa “shtylla” të skuadrës të mbeten për të ruajtur stabilitetin dhe për të ndihmuar ekipin të përmirësohet.

Ndërkohë, nën drejtimin e përkohshëm të Michael Carrick, Manchester United ka rikuperuar formën dhe aktualisht renditet i treti në Premier League, duke qenë pranë sigurimit të një vendi në UEFA Champions League për sezonin e ardhshëm.

“Djajtë e Kuq” synojnë ta mbyllin sezonin mes katër më të mirëve dhe do të përballen fillimisht me Leeds United, përpara një ndeshjeje tjetër të rëndësishme ndaj Chelsea.

Të ngjashme