Komuna e Kaçanikut ka përkujtuar në 27-vjetorin e rënies gjashtë dëshmorë dhe 13 martirë që ranë më 13 prill të vitit 1999, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kaçanik, Selajdin Troni tha se kjo ditë për ta është një plagë e rëndë, pasi sipas tij pikërisht me këtë datë shumë bijë e bija u ndanë padrejtësisht nga jeta.
“Sot jemi mbledhur me përgjegjësi dhe dhimbje, por edhe me krenari të thellë për të kujtuar 13 prillin e vitit 1999 një nga ditët më të rënda dhe më të dhimbshme për Doganajn dhe Sllatinën e Kaçanikut. Kjo ditë është një plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, një kujtim i gjallë i sakrificës, i dhimbjes dhe i qëndresës së popullit tonë. Në këtë ditë shumë bij dhe bija të këtij vendi u ndanë padrejtësisht nga jeta duke u bërë dëshmorë dhe martirë të lirisë. Ata ranë që ne sot të jetojmë të lirë, ranë që flamuri ynë të valoj krenar, ranë që fëmijët tonë të rriten në paqe dhe me dinjitet. Por, sot me dhimbje të veçantë kujtojmë edhe fëmijët e pafajshëm që u vranë në atë ditë të zezë, fëmijët që nuk arritën të rriten, që nuk arritën të ëndërrojnë, që nuk arritën të jetojnë jetën e tyre të sapofilluar”, ka thënë ai.
Kurse, Fahri Demnika në emër të veteranëve të UÇK-së, dega në Kaçanik, tha se më 13 prill të vitit1999 forcat ushtarake serbe ushtruan dhunë të pamëshirshme ndaj popullit të pafajshëm.
“Jemi sot para jush për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rënda për popullin e kësaj ane. Në atë ditë të erret forcat ushtarake policore ushtruan një dhunë të pamëshirshme ndaj popullit të pafajshëm.. Ëndrrat e shuara ishin para kohe. Po atë ditë ranë heroikisht edhe dy luftëtarë të UÇK-së, duke mos kursyer edhe jetën për lirinë, ndërsa një tjetër u plagos. Sot nuk jemi këtu vetëm për t’i përkujtuar por edhe për të dëshmuar se ajo që ndodhi nuk do të harrohet kurrë. Ne si veteranë e dimë çmimin e lirisë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh me sakrificë dhe me besim të palëkundur, e dimë se çdo hap drejt lirisë është i larë me gjakun e dëshmorëve dhe të martirëve”, ka shtuar ai.