Katër persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Kosovë nga Hungaria, Shqipëria dhe Mali i Zi, në një operacion të koordinuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, më 14 prill 2026 është realizuar ekstradimi nga Hungaria i një shtetasi kosovar me inicialet Q.I., i cili kërkohej nga drejtësia në Kosovë. Pas kthimit, ai është dorëzuar tek njësitet policore në rajonin e Gjakovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 15 prill 2026, nga Shqipëria janë ekstraduar dy shtetas shqiptarë, me inicialet R.B. dhe G.H., të kërkuar për çështje që lidhen me trafikimin e njerëzve. Ata i janë dorëzuar Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz për vazhdimin e hetimeve.
Po ashtu, gjatë së njëjtës ditë, është realizuar edhe ekstradimi nga Mali i Zi i shtetasit kosovar I.A., i cili pas mbërritjes në Kosovë është dorëzuar tek njësitet përkatëse në rajonin e Mitrovicës.
Të dyshuarit ishin arrestuar më herët nga autoritetet e vendeve përkatëse, ndërsa ekstradimi i tyre është bërë në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe shteteve partnere, si dhe përmes rrjetit të INTERPOL.