Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe administratës së tij, duke u bazuar në gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Asamblisti i LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Feim Osmani, tha se kallëzimi penal lidhet me një raport të ZKA-së, në të cilin, sipas tij, janë evidentuar më shumë se 26 shkelje, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë gjetje të përsëritura.
“Siç e dini edhe siç e patët edhe ju, ne e dorëzuam një kallëzim penal në drejtim të kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe administratës së tij në Kryeprokurorinë e Kosovës. Kallëzimi penal ka të bëjë me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila mbulon periudhën 2023–2025, e cila është përfunduar në vitin 2024. Ka më shumë se një vit që ky raport është publik. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mori shkeljesh, specifikisht më shumë se 26 shkelje të raportuara, e çka është shumë shqetësuese, një pjesë e madhe afërsisht gjysma e tyre janë shkelje të përsëritura, gjetje të përsëritura, për të cilat në raportet e mëparshme e njëjta zyrë ka dhënë vërejtje Komunës së Prishtinës, mirëpo që të njëjtat nuk janë marrë parasysh dhe janë përsëritur sërish”, tha Osmani.
Ai shtoi se 14 prej gjetjeve janë evidentuar për herë të parë, ndërsa LVV ka përzgjedhur gjashtë raste për të cilat pretendon se mund të ketë elemente të veprave penale.
“14 nga to janë shkelje për herë të parë që janë evidentuar. Ne i kemi trajtuar me prioritet së paku gjashtë nga to, për të cilat besojmë se është konsumuar tashmë vepra penale. Ka të bëjë me tjetërsim të pronave, me pagesa pa u kryer punët për operatorët e ndryshëm, me stafin e deklaruar në menaxhim të kontratave të ndryshëm nga ata që e kanë përfunduar ose i kanë nënshkruar kontratat më pas, me dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike pa vendim të Kuvendit Komunal, e shumë të gjetura të tjera të cilat janë të përfshira gjithsej në 69 faqe raport, e që ne sot e dorëzuam në prokurori dhe presim që hetimet të zhvillohen dhe të merren masat adekuate nga personat përgjegjës, nga ata që duhet ta bëjnë punën e vet”, deklaroi ai.
Sipas Osmanit, asamblistët e LVV-së vlerësojnë se në raport janë evidentuar shkelje serioze të procedurave dhe ligjeve, për të cilat, sipas tij, duhet të merret prokuroria.
“Ne si asambleistë të Komunës së Prishtinës, si asambleistë të Vetëvendosjes, jemi të bindur se brenda atij raporti ka shkelje të rënda të procedurave, të shkeljes së ligjeve në Kosovë e çështje të ndryshme, me të cilat natyrisht do të duhet të merret prokuroria. Raporti është publik edhe në faqen e komunës, edhe në faqet e shumë organizatave që e monitorojnë punën e Prishtinës”, tha Osmani.
Ai theksoi se raporti, sipas tij, është i qasshëm për publikun dhe se përmban gjetje që lidhen me financat, tenderët dhe procedurat e administratës komunale.
“Jam i sigurt që deri tani një pjesë e madhe e opinionit ka mundur ta shohë dhe është afërsisht i njoftuar me gjithë marifetin që përmban ky dokument prej 69 faqesh, i cili zyrtarisht e monitoron Komunën e Prishtinës në aspektin e financave, tenderimit e shumicës së procedurave me të cilat vepron administrata komunale e Prishtinës. Aty qartësisht përcaktohet edhe roli i kryetarit të komunës në parandalimin e bërjes ose konsumimit të veprave penale, mirëpo edhe në rast se ka urdhëruar apo kanë ndodhur me lejen e tij”, u shpreh ai.
I pyetur nëse sot në Prokurori kanë dorëzuar ndonjë provë të re, Osmani tha se dokumenti i Auditorit është publik dhe se detyra e tyre ka qenë që atë ta formalizojnë përmes kallëzimit penal.
“Është detyra jonë ta dorëzojmë, edhe pse e ceka edhe më herët se raporti është publik dhe organet e hetimeve, të drejtësisë e të gjitha me radhë, kanë mundur ta shohin dhe të merren me këtë edhe pa kallëzim penal. Mirëpo, puna jonë është ta dorëzojmë dokumentin deri këtu në emër të kallëzimit penal e besoj që prokuroria do ta kryejë punën e vet. Faktet e reja s’ka nevojë të ketë sepse dokumenti është i njëjti. Ai ka dalë nga Zyra e Auditorit Kombëtar tashmë pothuajse një vit dhe ai nuk ndryshon, është i njëjti dokument. Gjetjet janë ato që ne i kemi konstatuar”, tha ai.
Osmani shtoi se në kallëzimin penal janë specifikuar rastet për të cilat LVV pretendon se ka elemente të veprave penale, ndërsa raporti i plotë i Auditorit i është dorëzuar Prokurorisë.
“Ato që i kemi caktuar në aktakuzë janë ato që kemi menduar se janë konsumim i veprave penale, ndërsa pjesa tjetër e raportit është me referenca dhe e kemi dorëzuar të tërin tek Kryeprokurori. Kështu që një kallëzim penal besoj se do të mund ta dorëzojmë edhe para jush, këtu e kemi me vete. Kështu që e gjithë puna që ne kemi pasur për obligim e detyrë ta bëjmë, besoj se ka përfunduar sot këtu, pasi që dokumentin e kemi përpunuar, kallëzimin penal po ashtu, dhe e kemi dorëzuar para organeve të drejtësisë”, deklaroi Osmani.
Osmani u pyet gjithashtu se cilat janë konkretisht gjetjet e raportit që LVV i ka konsideruar si më serioze.
“Siç e ceka, ka shumë shkelje, mirëpo unë edhe paraprakisht u përgjigja se janë gjashtë evidentime që ne i kemi bërë i kemi evidentuar në kallëzimin penal. Është çështja e gabimeve më shumë se 7% në llogaritjen e tenderit për sheshin ‘Xhorxh Bush’, ku vlera financiare është përmbi 1 milion e 200 mijë euro. Është dhënia pa aprovim të Kuvendit Komunal të hapësirës publike dhe të një shume prej 5.12 milionë eurosh që ia ka dhënë Komuna e Prishtinës UNDP-së”, tha ai.
Sipas Osmanit, në raport janë evidentuar edhe pagesa për punë të cilat auditori nuk i ka gjetur të realizuara në terren.“Është pastaj pagesa për disa punë që në terren auditori nuk i ka gjetur — ato ose janë dëmtuar ashtu siç e paraqet arsyetimin Komuna e Prishtinës, ose nuk janë përfunduar fare — që është detyrë e prokurorisë dhe e hetuesisë të dalë e ta verifikojë gjendjen reale në terren. Siç e thashë edhe më parë, ka kontrata për të cilat si palë menaxheriale e komunës ka qenë e caktuar dikush tjetër, mirëpo menaxhimin më pastaj e ka marrë dikush tjetër nga stafi i inxhinierëve të komunës, e shumë probleme të tjera të cilat i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit, e që ne sot i kemi bërë kallëzim penal”, u shpreh Osmani.
Pas Osmanit, asamblistja e LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Dida-Bujari, tha se para dorëzimit të kallëzimit penal, grupi i tyre ka tentuar që çështjen ta trajtojë përmes mekanizmave të Kuvendit Komunal.
“Edhe një adresim nga Lëvizja Vetëvendosje: Do të thotë, para se të arrinim tek ky hap, ne kemi konsumuar çdo rrugë institucionale në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Që nga ditët e para të publikimit të këtij raporti të rëndësishëm, kemi kërkuar përballje të hapur pikërisht për ato gjetje. Publiciteti i këtij raporti kërkonte debat mbi përgjegjësinë konkrete dhe mënyrën se si po administrohet paraja e prona publike e kryeqytetit. Përgjigja e kryetarit ka qenë heshtja e tij. Do të thotë, raporti nuk u soll asnjëherë në Kuvendin Komunal”, tha Dida-Bujari.
Ajo pretendoi se iniciativa për ta futur raportin në rend dite nuk mori mbështetjen e shumicës politike në Kuvendin Komunal.
“Kur morëm iniciativë për ta futur në rend të ditës, partitë në pozitë, PDK dhe LDK, nuk e arsyetuan këtë dhe nuk e votuan, apo ata votuan kundër nesh që kjo çështje të jetë pjesë e rendit të ditës në Kuvendin Komunal”, deklaroi ajo.
Sipas Dida-Bujarit, pikërisht pas mbylljes së kësaj rruge, LVV vendosi që çështjen ta dërgojë në institucionet e drejtësisë.
“Kjo rrugëzgjidhje i prin dorëzimit të sotëm, pasi që na u mbyllën dyert në të gjitha anët për të hapur një debat politik faktikisht brenda komunës, dhe hapja e procedurës ligjore mbeti e vetmja zgjidhje për ne. Ne nuk ishim të mendimit se kjo duhet të jetë rruga, por absolutisht mbetëm në këtë rrugë për shkak të transparencës e cila do të duhej të bëhej. Sot po përballemi me auditimin, i cili dokumenton shkelje e parregullsi serioze, ndërsa shumica politike refuzon madje edhe debatin për to”, tha Dida-Bujari.
Ajo theksoi se, sipas saj, shumica politike nuk mund t’i shmangë pyetjet që lidhen me shpenzimin e parasë publike.
“Kështu që asnjë shumicë nuk mund të mbyllë pyetjet lidhur me miliona euro të qytetarëve. Kjo është thjesht pasi që ne kërkuam llogari aty ku merren vendimet, sot po i dorëzojmë këto fakte para institucioneve të drejtësisë. Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje e përmbushën detyrën e tyre dhe tani i takon prokurorisë ta thotë fjalën e fundit”, u shpreh ajo.
Osmani tha se kjo nuk është hera e parë që asamblistët e LVV-së presin veprime nga organet e drejtësisë lidhur me çështje në Komunën e Prishtinës.
“Në fakt, ne çdo herë presim nga organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e vet. Unë besoj që për çdo rast që ne kemi bërë kallëzim penal apo çfarëdo ankesë tjetër, mendoj se janë duke u zhvilluar hetime dhe besoj se prapëseprapë organet e drejtësisë një ditë do ta thonë punën e vet”, tha Osmani.
Ai përmendi edhe çështjen e legalizimeve, për të cilën tha se LVV ka dorëzuar më herët kallëzim penal.
“Prishtina, siç e dini ju edhe mbarë opinioni publik, po vepron me shkelje të rënda në çdo trajtim, dhe kjo me sa di nuk është çështje administrative, por është çështje e vendimeve të mëdha që merren nga kryetari, nga stafi i tij e tutje. Ka probleme me legalizimet, ne kemi dorëzuar kallëzim penal edhe për këtë çështje dhe natyrisht me të drejtë po presim përgjigje, po presim që lëndët të zhvillohen më tutje”, deklaroi ai.
Osmani tha se grupi i asamblistëve të LVV-së do të vazhdojë ta monitorojë punën e Komunës së Prishtinës.
“Natyrisht, përveç se të presim, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Do ta përcjellim hap pas hapi punën e kryetarit edhe më tutje, në çdo veprim të tij, në çdo vendim, sepse konsiderojmë që paraja e taksapaguesve të Prishtinës duhet të shpenzohet me nikoqirllëk e jo me shpërdorime në forma se si po shfrytëzohet deri tani”, shto ai.
