Bajrami e LDK-së i reagon Kërçelit: Çojini rastet në prokurori, jo vetëm akuza në Kuvend

Prishtinë | 21 Pri 2026 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se akuzat duhet të trajtohen përmes institucioneve të drejtësisë dhe jo vetëm në sallën e Kuvendit.

“Edhe jo vetëm me fol me emra, po merrni e dërgoni lëndët në prokurori qysh i kemi dërguar ne. LDK-ja, respektivisht Jehona Memeti e të tjerët, ia ka dërguar lëndën zotit prokuror special, ku unë kam qenë dëshmitare për shkak të deklaratave të mia të cilat i bëj me emër e mbiemër, duke u bazuar gjithmonë në fakte. Jo veç këtu në sallë ku kemi imunitet, po edhe jashtë sallave. Po, i ka dërguar lëndët edhe në Komunitetin e Energjisë në Vjenë, edhe në Bruksel, edhe në Lubjanë e tash janë duke u zhvilluar hetimet. Ne nuk kemi kërkuar atje me mbrojtë asnjë bashkëpartiak tonin, edhe jam shumë e sigurt që ju këtë e dini, që prokuroria kur fillon hetimet nuk kursen asnjëherë. Andaj, hetimet kanë filluar për mafinë energjetike, unë besoj që faktet dhe gjykimin do ta shihni shumë shpejt. Ju, në qoftë se keni diçka dhe nuk po i çoni lëndët në prokurori, atëherë jeni bashkëfajtorë“, tha ajo.

Më tej, Bajrami ngriti akuza edhe për zhvillimet në sektorin energjetik dhe vendimmarrjet institucionale ndër vite.

“Ajo që dihet dhe është e vërtetë, është që për herë të parë në Kosovë është licencuar nga bordi i ZRRE-së, komplet me nënshkrimin e Ymer Fejzullahut, i cili është votuar me shumicë në këtë kuvend prej grupit të Lëvizjes Vetëvendosje EFT-ja e Vuk Hamoviçit. Nuk keni kontrata, qeveria nuk ka kontrata për blerje të energjisë sepse, sepse e ka shitur Mimoza Kusari! Ka qenë kryesuese e Komitetit Ndërministror për Privatizim. Tash blen energji elektrike KESCO dhe KEDS-i po ua faturon qytetarëve të Republikës së Kosovës bashkë me KEK-un. E ka shit Mimoza, pyeteni atë se qysh edhe kur, pse janë bërë transaksionet në mënyrën që janë bërë. Po fol me emra, e përralla mos na tregoni ju“, u shpreh Bajrami.

Të ngjashme