Lushaku-Sadriu: Jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve, partia më e madhe nuk po prodhon zgjidhje

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovë, Jehona Lushaku-Sadriu ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti lidhur me zgjedhjet e reja, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se deklaratat që Kurti ka bërë e tregojnë tendencën e tij dhe shpjegojnë idenë që e ka ai prapa.

“Së pari deklaratat që zoti Kurti ka bërë për cikël zgjedhjesh e tregojnë me gjasë edhe tendencën e tij edhe e shpjegojnë krejt idenë mbrapa. Ne sot sapo e përfunduam mbledhjen e kryesisë dhe pamë një agjendë të ngjeshur që po vendos anëtarë të rinj të bordeve dhe ka një shpërfaqje totale për tendencën për kapje institucionale.

Krejt kjo dinamikë e shpjegon që ne jemi duke shkuar në zgjedhje, por jemi duke shkuar në zgjedhje sepse partia më e madhe nuk po prodhon një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit. Është partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve dhe që në bazë të kushtetutës i takon përgjegjësia më e madhe për ta zgjedhur presidentin.

Dhe vërtet është fatkeqësi; një është për shkak se është tepër fatkeqësi kur qytetarët e shohin si potencial për të qeverisur, ia besojnë dikujt me një masë aq të madhe, dhe në anën tjetër nuk kemi as qeverisje të mirë e as zgjidhje të problemeve kyçe. Por në zëvendësim të kësaj, Vetëvendosje po na jep një krizë të re politike ku qytetarët do të lihen të vetëm, e ai do të qeverisë kryeministri do të qeverisë i pambikëqyrur. Domethënë tipike për një sistem autoritar ku një kryeministër dëshiron të prodhojë më shumë kriza për të qeverisur i pambikëqyrur. Dhe vërtet kjo është shqetësuese.

Por në anën tjetër edhe tendenca për t’i kapur të gjitha institucionet, duke përfshirë bordet shikojeni agjencionin për akreditim të institucioneve të arsimit të lartë. Ne sot jemi dëshmitarë të futjes në pikë, të kalimit të bordit të kësaj agjencie me shpejtësi të dritës, me kandidatë të paverifikuar edhe me procedura të shkelura brenda institucioneve që i kanë zgjedhur ato.

Ne do të jemi dëshmitarë që para syve tanë të shohim një kapje totale të institucioneve që në kushte normale dhe në bazë të kushtetutës tonë duhet të ishin të pavarura. Por partia më e madhe i ka numrat dhe po ia mundëson vetes që t’i kapë këto institucione”, tha Lushaku.

E pyetur se a do të japin një propozim lidhur me çështjen e presidentit Lushaku tha nëse do kishin emër konsensual do ta propozonin.

“Po të kishim 66 vota në Kuvendin e Kosovës, kjo punë do të zgjidhej, do të prodhonte një zgjidhje sepse është obligim kushtetues i asaj partie. E para. E dyta, nuk mund të kërkosh nga partitë që nuk i kanë numrat që ata të japin emra sepse nuk i kemi numrat që t’i jepnin emrat, se po t’i kishim, do t’i propozonim. Do t’i propozonim ose do të gjenim emër konsensual. Dhe e treta, është vërtet fatkeqësi kur një njeri me kaq shumë fuqi edhe me kaq shumë legjitimitet nuk arrin të prodhojë një zgjidhje. Madje, madje, thërret partitë politike në negociata, pret që duhet t’ia përkrahim një kandidat totalisht partiak, me librezë partiake. Nuk është se ne kemi diçka kundër zotit Konjufca, por është paradoksale dhe absolutisht e papranueshme që në negociata për me gjetë një president konsensual, vjen një propozim për kandidat partiak. Këtë e ka thënë vetë zoti Kurti, që nuk do të kemi president me librezë partie, dhe ndërkohë që propozimi i tij i vetëm është Glauk Konjufca. Edhe kjo është për nime, është e papërgjegjshme si veprim”, tha Lushaku.

Ndërkaq e pyetur se a marrin pjesë në seancë për zgjedhjen e presidentit ajo tha se nëse propozimet janë si herën e kaluar jo nuk marrin pjese.

“Ne marrim pjesë absolutisht në bazë të përgjegjësisë sonë. Ne marrim pjesë në seanca të cilat rezultojnë me zgjidhje në të mirën e qytetarëve. Por zgjedhja e presidentit, nëse ka propozime partiake siç ka qenë herën e kaluar, absolutisht jo, sepse ne shkojmë për të zgjedhur, për t’i dhënë vendit një president ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës, por jo një zgjatim të një partie të madhe e cila tenton t’i kapë të gjitha institucionet kryesore të vendit. Nuk i takon qeveria dhe presidenca të njëjtës parti. Kushtetuta i sheh këto të dyja si fuqi ekzekutive ku duhet të shprehet balanci në mes të partive politike. Presidenti paraqet unifikim, paraqet përfaqësimin e më shumë se 66 deputetëve, domethënë i kërkon 81 deputetë”, tha Lushaku.

Të ngjashme