Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu në seancën e Kuvendit derisa po diskutohet për shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës ka thënë se i njëjti është sjellë në Kuvend me procedura të përshpejtuara derisa përmendi edhe Dejona Mihalin, raporton Ekonomia Online.
Musliu tha se në Kuvend po dëgjohet urdhri siç e quajti ajo i Dejona Aleksandër Mihalit.
“Është sjellë në Kuvend me procedura të përshpejtuara, pa respektuar as afatet ligjore, pa u përfunduar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen kur miratohet, kur rishqyrtohet ose plotësim-ndryshimi i ligjeve kur bëhet.
Dhe duke pasë parasysh që keni duplikuar agjendën e Kuvendit në të njëjtën kohë, keni vendosur nga dy tri komisione në të njëjtin orar, e kemi pasur të pamundur që të punojmë me seriozitet në këtë projektligj. Përkundër kësaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ditën kur ishin prezentë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, kam adresuar të gjitha çështjet të cilat janë kontestuese në këtë ligj dhe fatkeqësisht edhe nga ana e zyrtarëve të ministrisë nuk kam marrë përgjigje dhe nuk kanë mundur që t’i argumentojnë vërejtjet që kemi dhënë. Unë, e nderuara kryetare, ju bëj thirrje juve para se ta nënshkruani këtë ligj sepse, siç duket, meqë veç jeni ushtruese e detyrës së presidentes, ju do ta keni fatin ta nënshkruani këtë ligj pas tetë dite, ju kisha lut shumë që ta lexoni mirë dhe të merrni këshilla sepse ky ligj e rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës.
Pa dashur të ndalem në detaje në amandamente dhe nenet kontestuese sepse i kam thënë shumicën edhe në lexim të parë gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, i kam thënë edhe në komision, por është e qartë se këtu nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona Aleksandër Mihalit. E pamë edhe pak më herët, e pamë edhe pak më herët, deputetët e mazhorancës nuk guxojnë ta ngresin dorën për të votuar pa e parë me sy që aty shkruan që nuk është i propozuar nga opozita. Nuk dëgjojnë fare çka interpretoni ju, nuk dëgjojnë fare çfarë vërejtjesh japim ne, e rëndësishme është që Dejona Aleksandër Mihali ka dhënë urdhër, përndryshe ju shkon karriera poshtë”, u shpreh ajo.
