Rrjeti i Grave kërkon integrimin e buxhetimit gjinor në KASH 2027–2029 dhe konsultim publik

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Financave për integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2027–2029, në përputhje me obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore.

Në komunikatë thuhet se RrGK kërkon gjithashtu që KASH t’i nënshtrohet konsultimit publik, duke garantuar një proces të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent me pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me respekt, ju drejtohet për të kërkuar që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGj) të integrohet në mënyrë të plotë dhe sistematike në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2027–2029, si dhe që RrGK dhe organizatat e shoqërisë civile të përfshihen në mënyrë aktive në procesin e hartimit dhe konsultimit publik të këtij dokumenti kyç”, thuhet në letrën drejtuar ministrit të Financave.

RrGK thekson rëndësinë e konsultimit publik si mekanizëm për transparencë dhe llogaridhënie.

“Duke u bazuar në Rregulloren (QRK) Nr. 17/2024 për Punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, theksojmë rëndësinë e konsultimit publik si mekanizëm thelbësor për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje të qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, thuhet më tej.

Sipas kësaj organizate, përfshirja e shoqërisë civile, veçanërisht organizatave me ekspertizë në barazi gjinore, është vendimtare për të reflektuar nevojat e grave dhe burrave në politikat fiskale.

Në komunikatë kërkohet që KASH të përfshijë një Deklaratë Buxhetore Gjinore, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Është thelbësore që KASH të përfshijë një Deklaratë Buxhetore Gjinore, e cila paraqet qartë se si planifikimi fiskal afatmesëm adreson nevojat e grave, burrave, vajzave dhe djemve”, thekson RrGK.

Organizata gjithashtu ngre shqetësim për mungesën e publikimit të dokumenteve që lidhen me buxhetimin gjinor.

“Deri më tani, mungesa e publikimit të qëndrueshëm të këtyre dokumenteve kufizon qasjen e publikut në informata dhe vështirëson vlerësimin e ndikimit të buxheteve në barazinë gjinore”, thuhet në komunikatë.

RrGK ka paraqitur disa kërkesa konkrete për Ministrinë e Financave, përfshirë integrimin e buxhetimit gjinor në KASH përmes një deklarate të posaçme, publikimin transparent të dokumenteve dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e hartimit.

Organizata shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet.

“RrGK mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në këtë proces dhe të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Financave për të avancuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Kosovë”, përfundon komunikata.

Të ngjashme