Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, vlerësoi figurën e kongresistit amerikan Eliot Engel, duke theksuar ndikimin e tij në ndërgjegjen ndërkombëtare për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Engel kishte arritur të linte gjurmë të thella në politikë dhe në përkrahjen për popullin e Kosovës.
“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë. Kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Dhe atëherë kuptova që misioni im ishte shumë i lehtë. Nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Eliot Engel kishte krijuar për ne”, tha ajo.
“Sepse kur një popull i vogël dëgjohet pa qenë i pranishëm, kur historia e tij rrëfehet nga të tjerët me besueshmëri, me bindje, atëherë kjo histori ka gjetur një zë të vërtetë. Dhe ai zë për ne ishte Eliot Engel. Ishte zëri që mbështeti Kosovën në ditët më të errëta të okupimit. Profetike mbetet deklarata e tij në ditën kur kasapi i Ballkanit ia ndaloi hyrjen në Kosovë gjatë luftës. “Shumë shpejt,” tha kongresmeni, “Kosova do të çlirohet. Unë do ta vizitoj Kosovën, por ju dhe Serbia do ta keni të ndaluar të hyni në Kosovë”, tha Çitaku.
