Avokati i familjes së heroit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka deklaruar se vendimi i gjykatës për të akuzuarit përbën vetëm “gjysmë drejtësi”, derisa sipas tij, para drejtësisë të dalin edhe organizatorët e sulmit terrorist, raporton Ekonomia Online.
Koci është shprehur i kënaqur me vendimin e gjykatës, duke theksuar se të akuzuarve u janë garantuar të gjitha të drejtat procedurale dhe se ata tashmë kanë marrë dënimin që, sipas tij, familja e Bunjakut e ka pritur.
“Deri sa para drejtësisë te dalin kokat apo organizatorët e këtij sulmi terrorist, kjo është gjysmë drejtësi. Natyrisht, unë jam i kënaqur me vendimin e gjykatës, por jam edhe më i kënaqur që të akuzuarve ja u kemi mundësu si sistem të gjitha të drejtat procedurale edhe n’fund tash e kanë marrë dënimin çfarë familja e Afrim Bunjakut edhe e ka parashiku. Dhe vazhdojmë tutje po prapë po e përsëris, duhet para drejtësisë të vihen edhe organizatorët e këtij sulmi terrorist”, tha ai.
“Është e vërtetë që janë të paarritshëm për drejtësinë, por këta të dyshuar do t’i mbesin barrë Republikës së Serbisë. Ata kurrë nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian pa i gjyku ose pa ia dorëzu këta persona drejtësisë së Kosovës. Kështu që vazhdojmë tutje, është shumë keq që ata nuk janë gjyku, por edhe kjo është prapë më mirë se asnjë lloj gjykimi. Duhem me përsërit, familjes së Afrim Bunjakut asnjë vendim nuk ja kthen Afrimin, por sidoqoftë kjo është një satisfaksion edhe për familjen por edhe për të gjithë neve mbrojtësit por edhe për popullin e Kosovës”, tha ai.
“Unë do ta shikoj njëherë arsyetimin e gjykatës dhe pasi të lexoj arsyetimin e gjykatës do të vendosi a do të apeloj apo jo. Në përgjithësi jam i kënaqur me vendimin për dy të parët, për të tretin jam tash në fazë kur do ta analizoj këtë vendim gjykate”, tha ai.
