Prokurori Abazi: Rasti s’konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit për “Banjskën” të përballen me drejtësinë

Prishtinë | 24 Pri 2026 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar vazhdimin e hetimeve dhe përpjekjeve për arrestimin e të gjithë të përfshirëve në sulmin në Banjskë, duke theksuar se aktgjykimi i shpallur është vetëm një pjesë e procesit, raporton Ekonomia Online.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, tha se vendimi ishte i pritshëm pas një pune të gjatë të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Siç e patë shpallja e gjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, është një aktgjykim i cili ka qenë edhe pritje e Prokurorisë Speciale pas një pune të madhe dhe të stëngarkuar nga ana e Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, departamenteve përkatëse të hetimit, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe të gjitha agjencive të tjera ligjzbatuese, po ashtu edhe partnerëve ndërkombëtarë të cilët na kanë ndihmuar për ta zbardhur këtë rast me këtë gjykim”, tha ai.

Ai theksoi se rasti nuk konsiderohet i përfunduar derisa të gjithë të akuzuarit të përballen me drejtësinë.

“Prokuroria Speciale natyrisht që nuk do të ndalet me kaq. Ju e dini që për Prokurorinë Speciale ky rast është i mangët përderisa nuk është edhe pjesa tjetër e përfshirë në aktakuzë me krye të akuzuarin në këtë rast, Milan Radoičić, por që Prokuroria Speciale do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që të njëjtit të sillen para organeve të drejtësisë.

Ne realisht, siç e dini, javën e kaluar veçse kemi arrestuar njërin prej pjesëmarrësve i cili dyshohet në këtë rast në mënyrë direkte ose indirekte i përfshirë në këtë rast, por që edhe përpjekjet tona do të jenë maksimale që edhe pjesa tjetër që mendoj që nuk janë tashpërtash të kapshëm për organet e drejtësisë do të sillen shumë shpejt para organeve të drejtësisë. Një falënderim të posaçëm do të doja t’ju jepja edhe juve mediave për shkak se keni qenë vazhdimisht korrekt lidhur me raportimin për këtë rast sepse ky ka qenë një prej rasteve më komplekse që ka ndodhur pasluftës, me ç’rast rasti i tillë i cili ka pasur për pasojë vdekjen e policit në këtë rast, heroi Afrim Bunjaku, lëndimin e policëve të tjerë, terrorizimin e banorëve në atë pjesë si dhe tendenca e këtij grupi për me ndarë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, aktgjykimi dërgon një mesazh të qartë për të gjithë ata që synojnë të kryejnë vepra të tilla penale.

“Kjo realisht, domethënë ky aktgjykim i jep një mesazh shumë të qartë të gjithë atyre pa dallim, pa mbështetje politike, që në rast se tentojnë të kryejnë vepra të tilla penale do të marrin një dënim të merituar”, tha ai.

Abazi shtoi se përpjekjet për arrestimin e të dyshuarve do të vazhdojnë edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

“Ne vazhdimisht do të kërkojmë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare që të njëjtit të arrestohen, sikurse që është në fuqi fletarresti ndërkombëtar nga ana e Interpolit. Është çështje që Serbia sigurisht do të bashkëpunojë sepse drejtësia nuk ka të bëjë fare në këtë rast me politikën. Drejtësia nuk ka kompromise, në këtë rast, me drejtësinë. Gjithë ata të cilët kanë urdhëruar, kanë financuar edhe kanë koordinuar këtë sulm, sulmin e datës 24 shtator 2023, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë.”, tha ai.

Ai bëri të ditur se Prokuroria do ta shqyrtojë aktgjykimin dhe nuk përjashtoi mundësinë e ankesës.

“Sigurisht, po meqenëse ende nuk e kemi marrë aktgjykimin, ju e dini që është një procedurë derisa të shkruhet ky aktgjykim, do ta vlerësojmë pa dashtë me paragjyku domethënë situatën, unë besoj që do ta vlerësojmë me kujdes edhe do të paraqesim ankesë”, tha ai.

Të ngjashme