Zyrtarët e Njësisë për Dronë dhe Antidronë përfundojnë me sukses trajnimin për ngritje të kapaciteteve

Prishtinë | 24 Pri 2026 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarë policorë të Njësisë për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë (TiT) për përdorimin e dronëve, i realizuar në kuadër të mbështetjes nga Projekti HAPE, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të kësaj njësie.

Sipas njoftimit, trajnimi është zhvilluar gjatë periudhës mars–prill dhe ka zgjatur dy javë, duke u organizuar në dy faza të ndara.

“Faza e parë, e mbajtur nga 23 deri më 27 mars, ka shërbyer si fazë përgatitore, duke u fokusuar në aspektin akademik dhe zhvillimin e kurrikulës për instruktorët e rinj”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, faza e dytë, e realizuar nga 13 deri më 24 prill, ka përfshirë trajnimin e trajnerëve si dhe trajnimin bazik për kandidatët e rinj.

Në kuadër të këtij aktiviteti janë certifikuar gjithsej 12 pjesëmarrës.

“Gjashtë (6) pjesëmarrës (pesë zyrtarë policorë dhe një zyrtar doganor) kanë përfunduar me sukses trajnimin e trajnerëve (TiT), duke fituar kompetencat e nevojshme për të zhvilluar trajnime të mëtejshme brenda institucioneve përkatëse, ndërsa gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë përfunduar trajnimin bazik për përdorimin e dronëve”, bëhet e ditur në njoftim.

Trajnimi është mbajtur në Kampin e Njësive Speciale “Vrella”, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës, dhe sipas organizatorëve është realizuar në përputhje me agjendën dhe objektivat e përcaktuara.

“Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të brendshme trajnuese dhe garanton qëndrueshmëri në zhvillimin e mëtejmë të aftësive profesionale në fushën e përdorimit të dronëve, si në Policinë e Kosovës ashtu edhe në Doganat e Kosovës”, theksohet më tej.

Në fund, është shprehur mirënjohje për mbështetësit e këtij trajnimi.

“Shfrytëzojmë rastin të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë për instruktorët francezë për profesionalizmin dhe kontributin e tyre gjatë realizimit të këtij trajnimi, si dhe për Projektin HAPE për mbështetjen dhe mundësinë e ofruar në zhvillimin e këtyre kapaciteteve”, thotë njoftimi.

Të ngjashme