Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, para seancës së Kuvendit ka deklaruar se kandidatja për presidente, Feride Rushiti, tashmë i ka votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, raporton Ekonomia Online.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të partive opozitare që të jenë të pranishëm në seancë dhe të marrin pjesë në raundin e dytë të votimit.
“E vërtetë është që zonja Feride Rushiti tashmë i ka votat për t’u zgjedhur presidente, prandaj unë po e shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve të partive opozitare që ndryshe prej mbrëmë, sot të jenë prezent në sallë dhe t’i bashkohen raundit të dytë të votimit, sepse besoj që nëse duam zgjidhje, e kemi rastin të votojmë zonjën Feride. Nëse jo, atëherë besoj po shihet qartazi kush është bllokuesi dhe kush po do ta çojë vendin në zgjedhje të reja”, tha Kryeziu-Hyseni.
Sipas saj, pjesëmarrja në votim është kyçe për të shmangur një krizë të re politike dhe për të siguruar funksionalitetin institucional të vendit.
