Njësitet policore në rajonin e Mitrovicës së Jugut, gjatë dy ditëve të fundit në kohë dhe lokacione të ndryshme, kanë konfiskuar tri armë.
Në njoftim thuhet se një armë e gjatë është konfiskuar në zonën e Mitrovicës, ku arma ishte gjetur në automjetin e personit të dyshuar.
Një armë tjetër e gjatë është konfiskuar në zonën e Vushtrrisë, pasi që personi i dyshuar kishte publikuar një video incizim duke shtënë me armë zjarri.
“Policia ka identifikuar personin dhe lokacionin dhe pas reagimit të policisë, është konfiskuar arma me të cilën i dyshuari kishte shtënë gjatë një ahengu familjar”, thuhet në njoftim.
Arma e tretë është konfiskuar në zonën e Skenderajt, pasi që ishte pranuar informata se ishin dëgjuar të shtëna në një rrugë malore.
“Policia ka intervenuar dhe kanë hasur personin e dyshuar dhe pas kontrollit i kishin gjetur një armë e shkurtër në brez. Armët janë konfiskuar dhe janë proceduar në cilësinë e provave material”, njoftoi policia.
Në njoftim thuhet gjithashtu se tre personat e dyshuar, pas intervistimit dhe procedurave tjera, me udhëzim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj të treve janë iniciuar raste penale për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.