Kurti kritikon LDK-në: 15 nënshkrime pa kandidat nuk janë serioze

Prishtinë | 28 Pri 2026 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur për Vjosa Osmanin se a do ta mbështesë nëse do ta propozojë LDK-ja, tha se këta të fundit nuk i kanë ofruar 15 nënshkrime për të, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se nuk është serioze që të ofrohen 15 nënshkrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pa një emër konkret dhe kërkoj që ta caktojnë kandidatin.

“Kryetari i LDK-së nuk tregon për kë i ka 15 nënshkrime, po thotë “a m’i garanton ti mua 66 vota në kuti që janë të fshehta?”. Se votimi është i fshehtë. Pra, 15 nënshkrime pa emër të përveçëm sipër, me datën e pardjeshit, jua tregojnë juve, jo mua, dhe thotë “a m’i garanton ti mua 66 vota në kuti?”. Kjo është totalisht e palogjikshme. Më falni, kjo nuk është serioze. Unë jam kryeministër serioz. Kush dëshiron të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të na sjellë listën me 15 nënshkrime dhe me emrin e kandidates apo kandidatit të LDK-së për president.

Dhe më pastaj atyre 15 nënshkrimeve ne jua shtojmë edhe 15 të tjerë, pasi që të flasim me profesoreshën Hatixhe Hoxha, se po të ishte edhe PDK-ja do të mund t’i vinin nga PDK-ja. Prandaj ne i patëm thënë tre kandidatë. Në këtë rast na duhet t’ia marrim një kandidate ekzistuese dhe t’ia japim kandidatit të LDK-së, që s’po e tregojnë emrin ende zyrtarisht as te ju, as te unë, por vetëm se po e përfolin pa ia dhënë vulën e vendimit të Kryesisë së LDK-së.

Le të mblidhet Kryesia e LDK-së, le të tregojë për çka janë këto 15 nënshkrime, le të jetë data e sotme, jo e pardjeshme. Nuk është mirë data e pardjeshme, besoj pajtoheni me mua. Data duhet të jetë e sotme. Le të thotë qartë për kë janë ato 15 nënshkrime, e mandej ia bashkëngjisim edhe të tjerat edhe vijmë në seancën e Kuvendit, ku e kemi në orën shtatë. Unë nuk përcaktoj se kush do të jetë kandidati i LDK-së, ju lutem mos ma kërkoni këtë gjë. Faleminderit shumë. LDK-ja duhet ta caktojë kandidatin, ju lutem, jo unë. Më vjen keq që nuk u kthye kolegu juaj, po besoj që shihemi herëve të tjera”, tha Kurti.

Të ngjashme