Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se situata rreth zgjedhjes së presidentes është e qartë dhe se shumica parlamentare tashmë është përcaktuar për kandidaten Feride Rushiti, raporton Ekonomia Online.
Para nisjes së seancës së jashtëzakonshme, Dugolli theksoi se Rushiti përfaqëson një figurë të pranueshme për të gjithë dhe jo vetëm për një subjekt politik.
“Çështja është shumë e qartë, i kemi dy kandidatura, e një për të cilën jemi përcaktuar: zonja Feride Rushiti, një zonjë e ndershme, e zgjedhur me votë, e cila besoj që do t’i bënte mirë vendit tonë dhe gjithë shoqërisë. Pra, nuk është e Vetëvendosjes, nuk ka qenë asnjëherë e Vetëvendosjes, është e të gjithë neve, prandaj do të duhej që të ishim të gjithë bashkë dhe ta zgjedhim”, deklaroi ai.
Sipas Dugollit, qëndrimi i opozitës nuk lidhet me kandidaten, por me synimin për të bllokuar institucionet.
“Kjo po tregon që, fatkeqësisht, opozita asnjëherë s’e ka pasur problemin te zgjedhja e kësaj presidenteje. Për ta është e vetmja mundësi për ta bllokuar shtetin, për ta bllokuar qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat për shkelje kushtetuese dhe procedurale gjatë procesit të votimit, Dugolli i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
“Thirrja e seancës është për të gjithë deputetët e Republikës, pa dallim. Pra thirrja dërgohet, është dërguar, madje ka thirrje të vazhdueshme nga kryetari i Kuvendit dhe besoj që asgjë, askush nuk po shkel kushtetutë, nuk po shkel procedura, as rregullore. Është krejtësisht e pabazë kjo akuzë”, u shpreh Dugolli.
Ai u bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në seancë dhe të kontribuojnë në procesin vendimmarrës.
“I ftoj edhe njëherë, edhe përmes mediave, partitë opozitare që t’i sjellin deputetët, të mos fshihen prapa skutave këtu në Kuvendin e Republikës, por të vijnë e të debatojnë dhe të marrin vendime të dobishme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
