Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Prishtina është prezantuar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të teknologjisë, “AI+ Expo” në Washington D.C.
Në një postim në Facebook, Rama ka theksuar se pjesëmarrja në këtë event përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e kryeqytetit në skenën globale.
“Privilegj me e prezantu Prishtinën në AI+ Expo në Washington D.C., një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare ku marrin pjesë kompani si Microsoft dhe Google, ekspertë të sigurisë kombëtare, investitorë, akademikë dhe figura kyçe të zhvillimit teknologjik global”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se ky event konsiderohet një nga platformat më prestigjioze ku ndërthuren teknologjia, politika dhe ekonomia.
“AI+ Expo sot konsiderohet një prej platformave më prestigjioze ku ndërthuren teknologjia, politika, ekonomia dhe vizioni për të ardhmen. Dhe fakti që emri i Prishtinës prezantohet në një ambient të tillë, krahas qendrave më të zhvilluara të botës, flet shumë për potencialin, energjinë dhe talentin tonë”, ka theksuar ai.
Rama ka përmendur gjithashtu edhe pjesëmarrjen e Engjella Halilit, duke e vlerësuar kontributin e saj.
“Po ashtu, ishte kënaqësi me e pa entuziazmin e Engjella Halili, një zë i shqiptarëve në Amerikë. Bravo Engjëlla”, ka shkruar ai.
Në fund, ai ka theksuar se Prishtina po dëshmon një profil të ri ndërkombëtar.
“Në kohë kur rajoni po reduktohet në narrativë krizash politike, Prishtina po dëshmon se ka kapacitet me u prezantu ndryshe, si një qytet i rinisë, inovacionit, teknologjisë dhe vizionit global”, ka shtuar Rama.