Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar se Serbia mund të tentojë të ndërhyjë në integritetin e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, duke përfshirë sulme kibernetike, presione dhe incidente destabilizuese, raporton Ekonomia Online.
Fetoshi tha se Serbia në vazhdimësi ka tentuar të ndikojë në proceset zgjedhore në Kosovë dhe se institucionet e sigurisë duhet të jenë në gatishmëri të shtuar para zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
“Absolutisht, ne në kuadër të institutit ‘Octopus’ në vazhdimësi e kemi theksuar dhe kemi gjetur përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë që të ndërhyjë në kuptim të cenimit të integritetit të procesit zgjedhor në vendin tonë, në këtë kuadër normalisht që Serbia do të përpiqet edhe një herë që jo vetëm ta instrumentalizojë përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës nëpërmjet Listës Serbe, por edhe duhet të kihet parasysh që mund të priten veprime konkrete destabilizuese”, tha ai.
Ai theksoi se institucionet duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj sulmeve eventuale kibernetike dhe provokimeve të tjera që mund të synojnë destabilizimin e situatës në vend.
“Prandaj institucionet e sigurisë në veçanti do të duhej të kishin vëmendje të shtuar edhe sa i përket aktiviteteve me sulme eventuale kibernetike në infrastrukturën e vendit tonë, por edhe me provokime dhe incidente të tjera të cilat do të kishin për qëllim që të shkaktojnë tension dhe destabilizim të situatës së brendshme, në këtë kuptim institucionet do të duhej të tregojnë vëmendje sa i përket metodave që Serbia në vazhdimësi ka përdorur në proceset zgjedhore në Kosovë, siç është blerja e votave, shantazhi, ndërhyrjet eventuale të presioneve të ndryshme, kërcënimeve të ndryshme e kështu me radhë”, tha ai.
Sipas tij, ndërhyrjet eventuale të Serbisë në procesin zgjedhor mbeten të pritshme edhe në këto zgjedhje.
“Pra, edhe në këto zgjedhje pa diskutim që ne presim që Serbia do të përpiqet të ndërhyjë në integritetin e procesit zgjedhor prandaj është shumë e rëndësishme që institucionet e sigurisë të shtojnë vëmendjen e tyre për të mbrojtur procesin dhe për të mbrojtur sa më mirë që është e mundur përfaqësimin politik të vullnetit të qytetarëve të vendit tonë me 7 shkurt”, tha ai.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë janë caktuar të mbahen më 7 qershor 2026.
Shkuarja në zgjedhje erdhi pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin/en e ri brenda afateve kushtetuese.
Pas skadimit të afatit të 28 prillit 2026 pa marrëveshje ndërmjet partive politike për kreun e shtetit, Kuvendi u shpërnda automatikisht.
