Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka zhvilluar pritje zyrtare për delegacionin nga Shqipëria, në krye me prefektin e Tiranës, Shkëlqim Hajdari.
Në këtë takim u theksua bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri në fushën e investimeve, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë dhe u shpreh mirënjohës për rritjen e investimeve të Shqipërisë në Kosovë.
“Dhe pikërisht falë mbështetjes suaj, diskutimeve të shtetit të Shqipërisë dhe partnerëve lokalë të Shqipërisë, shumë biznese të Kosovës, shumë investitorë të Kosovës kanë ardhur në Shqipëri dhe janë duke investuar vazhdimisht. Stoku i investimeve në Shqipëri, sipas statistikave tona, në fund të vitit 2025 ka shkuar mbi 700 milionë euro. Produktet e Kosovës në Shqipëri kanë depërtuar mirë, shkëmbimet tregtare janë në nivelin e duhur, por jo ato që ne dëshirojmë. Njëkohësisht, edhe shkëmbimet tregtare mes dy shteteve tona kanë shënuar një rritje të mirë”, u shpreh ai.
Shahini u ndal edhe te vendimi i fundit nga Ministria e Bujqësisë për kontrollet ndaj produkteve që hyjnë në Kosovë.
“Së fundi kemi disa pengesa në Kosovë, të cilat janë paraqitur nga shumë eksportues të produkteve shtazore që vijnë në Kosovë, për shkak se Ministria e Bujqësisë ka marrë një vendim për një kontroll të shtuar të produkteve që hyjnë në Kosovë dhe ne kemi kontaktuar me të gjitha institucionet për mbrojtjen e bizneseve në Shqipëri. Po ashtu, bashkë me bizneset, e kemi ngritur këtë çështje në nivel shtetëror. Janë duke u trajtuar këto ndalesa, këto probleme që, siç po thuhet, janë sporadike, për arsye se ato mund të vazhdojnë. Na gëzon fakti që nga 1 maji, mes Kosovës dhe Shqipërisë tashmë është hequr kontrolli për të gjithë pasagjerët dhe kalimi bëhet me një lehtësi më të madhe, por do të duhej që të dy shtetet tona të marrin një vendim që këto masa të mos vlejnë vetëm gjatë sezonit të verës, por gjatë tërë vitit, 365 ditë, dhe të mos ketë kontrolle në asnjërën anë. Këto vendime do t’i marrin dy qeveritë tona, edhe pse janë nënshkruar mbi 200 marrëveshje mes dy shteteve tona, pothuajse më shumë se 50 për qind e tyre nuk janë në realizim e sipër”, tha ai.
Ai gjithashtu përmendi se kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë duhet ta shtojnë bashkëpunimin.
“Raportet ekonomike mes bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë janë shumë të mira, ato vëllazërore edhe më të mira, por ato ndërshtetërore duhet të avancohen më shumë. Shpeshherë kujtojmë se do të ishim shumë të lumtur sikur Kryeministri i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë të paktën një herë në 15 ditë të pinin një kafe bashkë. Kjo do të ishte shumë domethënëse për ne, por nuk është pengesë. Prapëseprapë, populli dhe qytetarët e të dyja anëve po vëllazërohen çdo ditë e më shumë dhe po e rrisin nivelin e besimit”, u shpreh tutje Shahini.
Ndërsa prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, fillimisht theksoi se aktiviteti i AKB-së ka shërbyer si urëlidhëse e Kosovës me vendet e rajonit.
“Ndjehem i respektuar dhe e kam pranuar me shumë kënaqësi vizitën tek ju, nisur nga i gjithë aktiviteti juaj ndër vite në shërbim të organizimit të biznesit të Kosovës rreth shoqatës suaj dhe vendosjes së urave të komunikimit ekonomik e shpirtëror me bizneset e rajonit dhe kryesisht me bizneset në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Preshevë. Ashtu sikurse tha edhe kryetari, të gjithë duhet të ndihmojnë sadopak, duke qenë të bindur se prodhimi cilësor në çdo fushë të veprimtarisë ekonomike dhe sipërmarrjes në territoret tona i shërben zhvillimit të ekonomive dhe prosperitetit të shteteve të ndara, territoreve të ndara shqiptare, por edhe kombit në tërësi”, u shpreh ai.
Ai përmendi edhe reformën për mallra të sigurta.
“Ju e cekët pak reformën e inspektorateve, pra këta ‘policë’ në thonjëza që duhet të garantojnë mallra të sigurta dhe veprimtari ekonomike prodhuese të sigurta, por edhe fusha të tjera të inspektimit, siç janë mjedisi, pyjet dhe transporti. Unë e kam parë këtë si një reformë që nuk duhet të bëhej vetëm në Shqipëri, por që duhet të ishte e unifikuar edhe për territoret e tjera të Ballkanit dhe kryesisht në vendet tona, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Jam i gëzuar që në Kosovë është bërë i njëjti organizim i reformës së madhe të inspektimit. Kosova tashmë, prej më shumë se tre vitesh, ka Inspektoratin e Përgjithshëm dhe ka bërë një ristrukturim të të gjitha inspektorateve, duke filluar nga ai shëndetësor, i punës, i ushqimit e me radhë”, shtoi ai.



