Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arbër Havolli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e 6 shtatorit 2025 në Llapashticë të Epërme në Podujevë. Ai e pranoi fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
“Më së pari mua më vjen keq për rastin që ka ndodh. S’kam dashtë me ndodh kjo, i kërkoj familjes falje. Për akuzën e parë (veprën penale Vrasje) s’e pranoj fajësinë. Për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha Havolli.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Havolli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit për pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, meqenëse pranimi është bërë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe në përputhshmëri me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës,
Po ashtua, prokurorja i propozoi Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor për këtë vepër penale dhe ta dënojë sipas ligjit.
Deklarimin e Havollit rreth fajësisë për armëmbajtje pa leje e mbështeti edhe mbrojtësi i tij, avokati Bekim Sfishta.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi miratoi pranimin e fajësisë sa i përket veprës penale në pikën II të aktakuzës, me arsyetimin se përputhet me provat që gjenden në shkresat e lëndës, kurse shpallja për këtë vepër penale do të bëhet në fund të gjykimit.
Sa i përket veprës penale “Vrasje”, për të cilën i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Ajvazi njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.