Gërvalla-Schwarz: Dokumentimi i helmimeve në Kosovë është zotim për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave

Prishtinë | 13 Maj 2026 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Helmimet në Kosovë (1990–1992)” në Dyseldorf, ku ka theksuar rëndësinë e dokumentimit të një prej kapitujve më të rëndë dhe ende të pazbardhur të historisë së Kosovës.

Sipas saj, ekspozita të tilla nuk janë vetëm akte kujtese, por edhe përpjekje të domosdoshme për dokumentim dhe përballje me të vërtetën historike.

Gërvalla ka rikujtuar se gjatë viteve 1990–1992 mijëra nxënës, studentë dhe qytetarë të Kosovës u prekën nga helmimet masive të kryera nga regjimi i atëhershëm serb i udhëhequr nga Slobodan Milošević, ngjarje që, sipas saj, tronditën thellë shoqërinë dhe lanë pasoja afatgjata në kujtesën kolektive.

Ajo ka theksuar se përvoja e Kosovës me dhunën dhe shtypjen sistematike ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si vendi e kupton shtetin, lirinë dhe orientimin euroatlantik.

“Mbështetja jonë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian nuk është vetëm zgjedhje politike, por reflektim i një historie të jetuar”, është shprehur ajo, duke shtuar se paqja dhe stabiliteti në Evropë kërkojnë vigjilencë dhe angazhim të vazhdueshëm për të mos lejuar relativizimin apo harresën e së kaluarës.

Në fund, ministrja në detyrë ka falënderuar drejtorin Atdhe Hetemi, Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Konsullin e Kosovës në Dyseldorf Behar Isma, partnerët akademikë dhe organizatat studentore për realizimin e kësaj ekspozite.

Të ngjashme