Ndërmarrja “Trepça” ka reaguar lidhur me bllokimin e rreth 50 minatorëve në minierë.
Sipas njoftimit zyrtar, 29 punëtorë kanë dalë nga miniera, ndërsa 18 ende kanë mbetur të ngujuar.
Tutje, theksohet se kjo ndodhi për shkak të një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.
“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, thuhet në njoftim.
Trepça ka deklaruar tutje se pjesa e mbetur e punëtorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një intervali kohor prej rreth dy orësh.
“Të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt, ndërsa ekipet teknike dhe skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar dhe ndodhen në terren për sanimin e gjendjes dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike sa më shpejt që të jetë e mundur. Trepça Sh.A. do të vazhdojë të mbajë të informuar opinionin lidhur me zhvillimet e mëtejshme”.