Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy zyrtarëve të Pallatit të Rinisë- Astrit Zogjani dhe Faton Rrustemi, lidhur me akuzën për korrupsion. Zogjani u dënua me dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse Rrustemi me 1 vit burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë.
I akuzuari Astrit Zogjani e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare të datës 12 maj 2026, ndërsa i akuzuari Faton Rrustemi kishte lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Astrit Zogjani në cilësinë e menaxherit të Financave në Pallatin e Rinisë ngarkohej me veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa Faton Rrustemi në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në Pallatin e Rinisë, akuzohej për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra.
I akuzuari Zogjani për veprën penale “Përvetësim në detyrë” u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Kurse për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Ndaj Zogjanit, Gjykata shpalli dënim unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Në dënimin me burgim, i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Në rast të mospagesës së gjobës, i zëvendësohet me burgim.
Po ashtu, ndaj tij u shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike dhe shërbime publike në kohëzgjatje prej 4 viteve pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Zogjani obligohet t’ia kompensojë palës së dëmtuar shumën e prezicuar sipas kërkesës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Ndërkaq, i akuzuari Rrustemi u shpall fajtor për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepra tjera penale në periudhën prej 2 vitesh, si dhe gjobë në vlerë 1 mijë euro.
Gjyqtarja Namani-Hajra ndaj Rrustemit shqiptoi edhe dënim plotësues- ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Secili prej të akuzuarve u urdhërua të paguajë nga 100 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të 30 marsit 2026, i akuzuari Astrit Zogjani ngarkohej se nga data 24 shtator 2021 e deri më 19 korrik 2022 në Ndërmarrjen Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, në cilësinë e menaxherit të Financave, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe duke shfrytëzuar autorizimet financiare dhe qasjen në sistemin bankar të Ndërmarrjes, ka përvetësuar për vete pasurinë që i ishte besuar, ku pa bazë ligjore ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë prej 39 mijë e 957 euro e 7 centë, nga llogaria e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale, duke përfituar dobi pasurore në atë shumë derisa ndërmarrja pësoi humbje të pasurisë.
Me këtë, Zogjani akuzohej se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 418, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i akuzuari Astrit Zogjani në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Pallati i Rinisë” ngarkohej se nga data 20 gusht 2022 deri më 3 dhjetor 2022 duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimin pasuror, ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë të përgjithshme 97 mijë e 597 euro e 19 centë nga llogaria zyrtare e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale dhe të personave të tjerë.
Kështu, në aktakuzë thuhet se këto shuma u transferuan në disa transaksione, ku përfshihen: 58 mijë e 697 euro e 19 centë në dy llogari të tij bankare, 17 mijë e 150 euro në llogari të pronarit të autosallonit “Auto Plus”, Arsim Xhylanit, 6 mijë euro në llogari të babait të këtij të fundit, Bajram Xhylanit, 6 mijë e 500 në llogari të Jahir Berishës, 9 mijë e 250 euro në llogari të të pandehurit Faton Rrustemi.
Aty thuhet se këto shuma janë transferuar me përshkrime të ndryshme të rreme si “pagesë për shpenzime”, “pagesë”, “pagesë për punë”, “pagesë për paga”, etj.
Tri nga shumat e lartpërmendura, thuhet se transferuar me përshkrim të rremë “pagesë për punë”, edhe pse të njëjtit nuk kishin marrëdhënie kontraktuale dhe nuk kishin kryer punë për Ndërmarrjen, por në realitet ato ishin për blerjen e automjetit “Range Rover Sport”, i cili ishte i destinuar për përdorim personal të të pandehurit e jo ndërmarrjes. Me këto veprime, thuhet se i pandehuri përfitoi dobi pasurore të kundërligjshme për vete dhe për personat tjerë.
Me këtë, Zogjani akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Faton Rrustemi në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në të njëjtën ndërmarrje, akuzohej se me dashje ka ndihmuar të pandehurin Zogjani në kryerjen e veprës penale sipas pikës 2 të aktakuzës, duke ndërmarrë veprime që kanë lehtësuar kryerjen e kësaj vepre.
Aktakuza thotë që pasi Zogjani kishte transferuar shumën prej 9 mijë e 250 euro nga llogaria zyrtare e ndërmarrjes në llogarinë e të akuzuarit Rrustemi me përshkrim të rremë “për punët në vazhdim për invalidë”, i akuzuari Rrustemi e ka tërhequr këtë shumë dhe ia ka dorëzuar atij në dorë.
Me këtë, ngarkohej me veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi