Në nisje të mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) është diskutuar ndryshimi i rendit të ditës, pasi u propozua shpallja e konkursit për zgjedhjen e zëvendëskryesuesit të KGJK-së, duke qenë se mandatit të zëvendëskryesueses aktuale po i afrohet fundit.
Kjo çështje nxiti debat mes anëtarëve të KGJK-së, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i KGJK-së, gjyqtari Fahret Vellija, propozoi që konkursi të hapet njëkohësisht edhe për pozitën e zëvendëskryetarit.
“Meqenëse kjo pikë është kështu, meqenëse zëvendëskryetarja aktuale është edhe njëra prej anëtarëve, vendi i të cilës lirohet këtu, unë njëkohësisht propozoj që të hapet ky konkurs edhe për zëvendëskryetar. Jo që të fillojë mandati para se ta mbarojë mandati juaj, në asnjë rast, por që mbas mandatit tuaj ta kemi ne zëvendëskryetarin. Andaj, meqenëse në rastin konkret njëra prej pozitave këtu që ne veç e hapim konkursin për një anëtar të Këshillit, e të cilën e mbani ju si zëvendëskryetare, unë propozoj që njëkohësisht të jetë edhe si pikë e 11-të faktikisht e rendit të ditës edhe hapja e konkursit për zëvendëskryetar. Mandati i së cilës kishte me fillu pas mbarimit të mandatit tuaj, por vetëm në aspektin kohor, në aspektin e kohës, në aspektin e formaliteteve t’i kryejmë të gjitha këtu, në momentin që ju e përfundoni mandatin, kushdo që zgjidhet zëvendëskryetar ta fillojë mandatin. Pra propozimi im është që pas kësaj pike të shpalljes së dy pozitave të lira për anëtarë të Këshillit, të jetë edhe kjo: mandati i asaj zëvendëskryetareje ose atij zëvendëskryetari me fillu mbas përfundimit të mandatit tuaj”, tha ai.
Megjithatë, gjyqtari Rrustem Thaçi nuk e mbështeti këtë propozim.
“Unë shkurt, nuk jam për shpalljen e kësaj pozite të zëvendëskryetarit për arsye se aktualisht jemi në pozitën pa zgjedhje të kryetarit. Edhe ndoshta është mirë që mbledhjen e radhës me mendu që kjo pikë të hapet. E kundërshtoj propozimin që të jetë në rend të ditës, për shkak edhe të shumë pikave të tjera në rend të ditës”, tha ai.
Ndërsa gjyqtari Artan Abazi e cilësoi të panevojshëm propozimin për hapjen e konkursit në këtë periudhë.
“Edhe unë konsideroj që është e panevojshme hapja e konkursit për zëvendëskryetar në këtë fazë ku jemi ne, meqenëse më urgjente është zgjedhja e kryetarit sesa e zëvendëskryetarit. Dhe duke pasur parasysh që dikujt po i ngutet këtu me e gjet tash zëvendëskryetarin, më mirë kishte me qenë me u ngut me e gjet kryetarin.
Dhe pikërisht e dimë që disa pengesa janë bërë paraprakisht që të mos vijnë fare nëpër seanca dhe të mos zgjidhet kryetari atëherë kur ka qenë më i nevojshëm me u zgjedh kryetari. Dhe tani vjen propozimi që kryetari të mbetet domethënë si i dorës së dytë dhe të zgjidhet zëvendëskryetari duke pasur zëvendëskryetarin ne në detyrë, duke e kryer detyrën me mandat të plotë. Po konsideroj që është jashtëzakonisht i panevojshëm ky propozim“, tha ai.
Ndërkaq, zëvendëskryetarja e KGJK-së, Arjeta Sadiku, deklaroi se sipas ligjit, afati për zgjedhjen e zëvendëskryetarit është 30 ditë pas përfundimit të mandatit aktual.
Pas debatit, ky propozim u shtua në rend të ditës.
