Donacioni i IPKO-s prej 20 mijë eurosh përmirëson kushtet e zjarrfikësve në kryeqytet

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

IPKO ka dhuruar donacion në vlerë prej 20 mijë eurosh për Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, donacion i cili ka shërbyer për përmirësimin e kushteve të punës dhe pajisjeve për zjarrfikësit, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se ky donacion ndikon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në kryeqytet dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik.

“Një donacion jashtëzakonisht shumë të vlefshëm për Brigadën Profesionale të Zjarrëfikësve të qytetit. Me rritjen e sigurisë në qytet me rritjen e kapaciteteve jo vetëm profesionale të zjarrëfikësve, por të gjitha shërbimeve të sigurisë në kryeqytet rritet edhe mundësia e investimeve, hapen edhe mundësi të investimeve dhe rritje të biznesit që është një prej parakushteve për zhvillim më të gjatë dhe më kredibil të kryeqytetit. Ne do të qëndrojmë prapa kompanive që operojnë në Prishtinë duke ofruar siguri”, tha ai.

Komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, tha se donacioni ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për zjarrfikësit që punojnë 24 orë.

“Një donacion që kap vlerën rreth 20 mijë euro dhe i cili drejtpërdrejt ka ndikuar në përmirësimin e kushteve të kolegëve tanë në shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit. Ju e dini që ky shërbim punon 24 orë, përveç asaj sigurisht që duhet t’u ofrojmë kushte sa më komode që të ndihen rehat dhe të jenë të pushueshëm sepse punohet edhe natën”, tha ai.

Ai tregoi se me këtë donacion janë rinovuar hapësirat e qëndrimit dhe janë siguruar pajisje të reja për punën administrative.

“Janë të rregulluara të gjitha ulëset ku është vendqëndrimi në kujdestari ditore e natë, kuzhina është e vendosur e re dhe ka ofruar kushte shumë të mira pjesa përcjellëse e kuzhinës siç është tavolina, karrigat për ushqim, zyrat administrative ku ushtrohet puna ditore e jona administrative janë të gjitha të rregulluara. Gjithashtu, i kemi edhe 5 kompjuterë të rinj që janë ofruar”, tha ai.

Për të parë nga afër investimet e realizuara nga ky donacion, Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë e vizitoi edhe drejtori ekzekutiv i IPKO-së, Andras Palk.

Të ngjashme