Gratë në politikë: Përfaqësim me meritë, jo vetëm me kuotë gjinore

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), së bashku me Qendrën për Barazi dhe Drejtësi (QBD), kanë organizuar një panel diskutimi lidhur me aspektin gjinor në zgjedhjet e vitit 2025, raporton Ekonomia Online.

Në panel morën pjesë përfaqësuese gra nga partitë politike në vend, të cilat theksuan se zgjedhja e grave në institucione duhet bërë në barazi me burrat e jo përmes një kuote gjinore.

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ish deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar se për t’u përzgjedhur nga qytetarët për nivel qendror është më e vështirë sepse përveç votave që duhet marrë nga vendlindja jote duhet bërë një siç e quan ajo rrjetëzim edhe nga komunat tjera.

“Unë kam pasë personalisht eksperiencë edhe në zgjedhje lokale, e disa eksperienca në zgjedhje nacionale në 2017-tën vet kam kandiduar për asamble komunale në Gjilan edhe atëherë pata arritë me u zgjedhë si asambliste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pa pasë nevojë për kuotën, pra e pata tejkalu kuotën edhe pata hyrë në Kuvend me përfaqësim real prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, por nëse e bëjmë krahasimin a është më lehtë me u përfshi me një fushatë për zgjedhje lokale apo nacionale, fushata lokale është sfidë në vete, është numër i madh i kandidatëve përpiqen me marrë një votë te qytetari që ka drejtë me dhanë në zgjedhje lokale. Domethënë është sfidë më vete në veçanti është sfidë për gratë që hyjnë në zgjedhje lokale edhe presin prej qytetarëve me e marrë mbështetjen që me i përfaqësu në asambletë komunale. Në anën tjetër nuk është aspak e lehtë gara që bëhet në nivelin nacional, sepse përtej komunës ti duhet me kriju rrjetëzim edhe në komuna të tjera, sepse asnjëherë nuk mjafton vota e komunës prej nga ti vjen është bazë shumë e mirë për kandidatët, për shembull unë vij nga Gjilani dhe një pjesë shumë të madhe të votave i marr prej komunës ku unë jetoj”, tha Kryeziu Hyseni.

Ish-deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha tha se partitë politike në shumë raste nuk u besojnë grave se duan t’i besojnë, por sepse e kanë kusht me kuotë gjinore.

“Është kënaqësi me qenë bashkë dhe me diskutu lidhur për sfidat e vazhdueshme që gratë i kanë në sferën publike dhe sidomos në përfaqësim dhe vendimmarrje. Nëse fokusohem pa dashtë me përsërit atë që tha kolegia ime meqenëse jetojmë në të njëjtin kontekst dhe pa dallim partie sfidohemi në mënyrë pothuajse të njëjtë. Dua t’i përmend disa elemente mbi  të cilat mendoj që reprezentimi i grave dhe dëshira dhe vullneti për të qenë pjesë e këtij procesi luhatet ose ndikon në vendimmarrjen e tyre personale për t’u përfshirë në jetën publike dhe institucionet publike në përgjithësi. E para është besueshmëria, sepse në shumë raste edhe brenda edhe jashtë partive e sheh që ka shumë shpesh një dozë të tendencës për përfaqësimin e grave në kuptim simbolik sepse duhet, sepse është kuota dhe jo gjithherë në kuptimin përmbajtësor, në kuptimin e besueshmërisë se gratë janë gjysma e kapitalit të Kosovës”, tha Hoxha.

Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës përmendi eksperiencën e saj kur kandidoi për kryetare të komunës së Ferizajt e që sipas saj asnjëherë nuk shtrohet pyetja për përfshirjen e burrave por vetëm për gratë.

“Padyshim që konteksti lokal nga ai nacional dallon sa i përket përfshirjes së grave në politikë dhe në pozicionet që ato i bartin. Unë si kandidate për kryetare në komunën e Ferizajt ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme në kuptimin e njohjes të përafërm të funksionimit jo vetëm të partisë politike por edhe të shoqërisë në përgjithësi. Ajo çfarë për mua është shumë e rëndësishme, sidomos në momentin e marrjes së vendimit për të hyrë në politikë është që në fakt ne asnjëherë nuk shtrojmë pyetjen përfshirja e burrave në politike dhe mendoj që kjo gjuhë përsëritëse e vazhduar për dy dekada e gjysmë ka thelluar këtë hendek, domethënë gjatë gjithë kohës ne mbetemi brenda një definimi statik të asaj se çfarë janë gratë dhe se çfarë mund të përfaqësojnë gratë dhe a mund të hyjnë  me kuotë apo pa kuotë, sa shoqëria ato i pranon si të tilla i ka bërë gratë që ne të qëndrojmë në një pozicion që të mbrojmë gjininë më shumë se sa individualitetin tonë. Kështu që ndoshta unë nga ajo që sot e shoh nga dy perspektiva nga ajo sociologjike dhe nga ajo si politikane që përfaqësoj Lidhjen Demokratike të Kosovës është që ne duhet t’i lëvizim themelet e definimit të përfshirjes”, tha Halimi.

Time Kadrijaj, ish deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tregoi se një herë është zgjedhur me kuotë gjinore ndërsa gjashtë herët tjera si rezultat i punës së saj.

“Shpeshherë ndoshta krijohet koncepti si kanë arrit këto dhe ne nuk kemi ardhur shumë lehtë në këto pozicionet që jemi, edhe ne kemi kaluar në këto sfidat që përmenden parafolësit, secila kemi pasur sfidat qoftë në nivel lokal edhe qoftë në nivel nacional. Unë kam ardhur gradualisht në politikën nacionale në fillet e para kam qenë edhe unë asambliste, ato fillet e para s’kemi pasë përkrahje, s’kemi trajnime që janë mbajtë, s’kemi pasur publicitet,  s’kemi pas asgjë vetëm jemi zgjedhur. Unë e kam kuptuar rolin pasi kam ardhur në politikë në nivel qendror dhe të gjitha këto organizata që i kanë përkrahur gratë në politikë në nivelin qendror, të shohin edhe në nivelin lokal sepse edhe ato gratë që zgjedhjen asambliste qoftë me kuotë ose pa kuotë, ju nevojitet ndihmë. Herën e parë kam fituar me kuotë dhe gjatë angazhimit thashë pse unë duhet me u zgjedhë me kuotë, krejt premisat i kam, angazhim politik, angazhim luftarak me profesion kam qenë mjeke, jam gjinekologe, pra i kam arritë të gjitha këto, si kam bërë prej politikës por i kam bërë vet, thashë pse duhet atëherë mem sfidu burrat edhe unë duhet me u angazhu mos me qenë si kuotë gjinore në parlamentin e Kosovës edhe kam filluar ta heq këtë viktimizimin e kuotës gjinore. Unë duhet të dalë në terren, duhet të takojë njerëzit, duhet të kërkojë përkrahje dhe më besoni që shtatë herë jam zgjedhë deputete njëherë me kuotë, gjashtë herë pa kuotë dhe kjo është rezultati i çdo gruaje”, tha Kadrijaj.

Të ngjashme