Komuna e Ferizajt: Shpronësimet kryhen nga Ministria, jo nga Komuna

Prishtinë | 19 Maj 2026 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Ferizajt ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila ngriti dyshime për keqpërdorime në dy raste të shpronësimeve në Ferizaj.

Përmes një sqarimi publik në Facebook, komuna ka theksuar se procesi i shpronësimeve kryhet dhe merr vlerësim përfundimtar në nivel qendror, përkatësisht në departamentin e shpronësimeve të ministrisë përkatëse.

Sipas reagimit, çdo përpjekje për t’i paraqitur këto raste si përgjegjësi të komunës përbën, siç thuhet, “pasaktësi dhe keqinformim të publikut me qëllim tendencioz”.

“Procesi i shpronësimeve kryhet dhe merr vlerësim përfundimtar në nivelin qendror, në departamentin e shpronësimeve të Ministrisë përkatëse”, thuhet në reagim.

Komuna e Ferizajt ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe një procesi të qasshëm për të gjitha palët e interesuara.

Të ngjashme