Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ardian Gjini, ka zhvilluar sot një takim me studentë nga e gjithë Kosova që studiojnë në Prishtinë, ku ka diskutuar për sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe planet e Aleancës në qeverisjen e re.
Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e Aleancës së të Rinjve, Albulena Kokollari, me të cilën Gjini bashkëbisedoi me studentët rreth arsimit, mundësive për të rinjtë dhe perspektivës së tyre në Kosovë.
Gjini tha se ishte kënaqësi e veçantë të ndante me studentët edhe pjesë nga kujtimet e tij të studimeve, duke e cilësuar energjinë dhe angazhimin e tyre si një aset të rëndësishëm për vendin.
“Forca më e madhe e Kosovës janë mendjet e hapura të studentëve tanë. Çdo sfidë e tyre është sot detyrë e jona”, ka deklaruar ai.
Kandidati i Aleancës për kryeministër u shpreh gjithashtu mirënjohës për takimin dhe energjinë pozitive që, sipas tij, studentët përcollën gjatë bashkëbisedimit.