Vendoset gurthemeli i Repartit të Pediatrisë në Gjilan, Kurti: Investim për jetët e reja dhe shëndetësinë publike

Prishtinë | 20 Maj 2026 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Në Gjilan është vendosur gurthemeli i Repartit të Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit, në një ceremoni ku morën pjesë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, kryetari i komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Ky investim me vlerë rreth 1 milion euro pritet të modernizojë shërbimet pediatrike në këtë spital dhe të përmirësojë kushtet e trajtimit për pacientët më të rinj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky projekt është veçanërisht i rëndësishëm pasi ka të bëjë me kujdesin për fëmijët.

“Si Qeveri e Republikës do të jemi gjithmonë pranë jush dhe e gëzofshi këtë fillim pune me këtë gurthemel, e do të përpiqemi që sa më shpejtë të vijmë edhe për ta prerë shiritin kur të përmbyllet komplet projekti”, tha Kurti.

Ai shtoi se investimi në pediatri është investim në shëndetin dhe të ardhmen e shoqërisë.

“E ky rast është dyfish më i rëndësishëm kur kemi parasysh që bëhet fjalë për pediatrinë, pra për një kujdes të posaçëm që duhet të tregojmë si shtet edhe si shoqëri për jetërat e reja”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se afati i realizimit të projektit është rreth 270 ditë dhe se institucionet do të synojnë përmbylljen e tij brenda këtij afati.

Të ngjashme