Avokati Gent Gjini ka dorëzuar ankesë në Prokurorinë Speciale kundër vendimit për hedhjen poshtë të kallëzimit penal ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, lidhur me deklaratat e tij për rastin e Astrit Deharit.
Sipas Gjinit, vendimi i prokurorisë është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa u zhvilluar hetime të plota ndaj Bashës, raporton Ekonomia Online.
Ai para mediave tha se deklaratat e Bashës, të bëra gjatë përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, kanë prekur ndjenjat e viktimave të luftës dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes kombëtare.
“Sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale për të kontestuar vendimin skandaloz dhe të kundërligjshëm të Prokurorisë Speciale, përkatësisht prokurores së çështjes, e cila ka hedhur kallëzimin penal pa e trajtuar në mënyrë objektive dhe në mënyrë të drejtë, e cila çështje lidhet me rastin e Dimal Bashës. I cili, në postin e kryeparlamentarit, asokohe gjatë përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, kishte deklaruar se rasti i Deharit është më i keq se krimet të cilat i ka bërë Millosheviqi ndaj popullatës shqiptare. Andaj unë, duke përfaqësuar njërën nga viktimat civile shqiptare në Prizren, ku jemi ballafaquar me një kriminel të kalibrit të rëndë – pra në këtë rast përfaqësoj njeriun të cilit regjimi i Millosheviqit ia ka mbytur dy djemtë e saj binjakë – kemi parë të arsyeshme që të hapet dhe të iniciohet vepra penale për nxitje të urrejtjes kombëtare ndaj Dimal Bashës. Por, një vendim si ky është skandaloz, sepse paramendoni se sa komplekse është kjo çështje. Prokuroria, në justifikimin të cilin e ka bërë për ta hudhur kallëzimin penal, e justifikon me arsyen se Dimal Basha nuk ka bërë nxitje të urrejtjes kombëtare, por më shumë ngjason si një ofendim që u është bërë krimeve të luftës, përkatësisht viktimave civile shqiptare. Pra paramendoni, prokuroria del deri aty saqë e justifikon veprimin e Dimal Bashës pa e marrë në pyetje dhe pa e dëgjuar fare atë”, tha ai.
Gjini kritikoi arsyetimin e Prokurorisë Speciale, duke thënë se vetë institucioni ka pranuar se deklaratat e Bashës kanë relativizuar krimet e luftës.
“Prokuroria si mund të konkludojë një gjë të tillë duke e trajtuar këtë çështje si një ofendim dhe duke i relativizuar krimet e luftës? Vetë prokuroria në këtë arsyetim thotë se Dimal Basha në veprimin e tij të cilin e ka bërë në një krahasim me krimet e Millosheviqit (të regjimit serb) bërë popullatës shqiptare, bën një relativizim të krimeve të luftës. Andaj edhe vetë e pranon që janë prekur ndjenjat kolektive të popullatës shqiptare të vuajtur nga regjimi serb i Millosheviqit. Jam shumë i çuditur se si kjo prokurori e ka hedhur këtë kallëzim penal, kur është dashur të paktën të merret në pyetje Dimal Basha. Është edhe një situatë simptomatike që për mua ndoshta korrespondon sepse pikërisht në kohën e zgjedhjeve marrim një vendim të tillë. Dhe vetë duhet ditur se Dimal Basha në qeverinë e kaluar (kjo paraprakja), e aty ka përfaqësuar një post ministror (apo asokohe ka pasur postin e kryeparlamentarit), dhe tani edhe këtu na del Dimal Basha si fitimtar dhe i suksesshëm në raport me fjalët të cilat i ka thënë”, thekson Gjini.
Ai kërkoi që rasti të rikthehet në riprocedurë dhe të merren parasysh të gjitha provat dhe deklaratat.
“Padyshim konsideroj se ankesën të cilën do ta parashtrojmë në Prokurorinë Speciale (që kjo duhet të kalojë pastaj në Prokurorinë e Apelit), me një vlerësim të drejtë dhe objektiv, kjo çështje të paktën duhet të kthehet edhe një herë në riprocedurë. Të thirret Dimal Basha dhe të shohim se në çfarë forme dhe në çfarë piste e ka bërë një deklarim të tillë, dhe pse të martirizohet figura e Astrit Deharit duke bërë një krahasim me krimet e Serbisë dhe të Millosheviqit, duke aluduar se krimi i Millosheviqit është më i pakët se ai që përshkruan rastin e Astrit Deharit. Andaj me këtë bëj apel në Prokurorinë e Apelit që kjo çështje të kthehet edhe një herë në riprocedurë, provat të vlerësohen në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, e jo kjo çështje të mbyllet vetëm me një faqe.”
Sipas tij, koha e marrjes së vendimit ngre dyshime për ndikim politik dhe trajtim selektiv të rasteve që lidhen me figura publike.
“Paramendoni, Dimal Basha kur e ka thënë dhe kur ka bërë një krahasim të tillë, e ka pasur postin e kryeparlamentarit dhe është bërë në prezencë të të gjitha mediave. Asokohe ka qenë një kohë fushatë zgjedhore, dhe tani po marrin një vendim të hudhjes së kallëzimit penal prapë në prag të fushatës – jo në prag, por veçse kemi hyrë në fushatë zgjedhore. Konsideroj se një veprim i tillë i Prokurorisë Speciale është një veprim i njëanshëm dhe ndoshta është edhe amnisti për figurat politike. Sepse nuk është hera e parë që Dimal Basha po del i suksesshëm në rastet kur qytetarët kanë denoncuar. Kemi edhe rastin e Dimal Bashës kur në revistën e botuar në Universitetin Amerikan ai ka bërë propagandë se ushtria e UÇK-së është financuar nga kartelet e drogës dhe bizneset e fëlliqura. Pra, edhe aty ende nuk e dimë se çfarë është bërë me atë çështje; kemi një drejtësi selektive”
Gjini paralajmëroi edhe protesta dhe njoftim të institucioneve të tjera lidhur me këtë rast.
“Ne tani ankesën e kemi parashtruar dhe presim që Prokuroria e Apelit të paktën ta kthejë çështjen në riprocedurë. Kërkoj që të zhvillohet procedura, dhe paralelisht sigurisht do ta njoftoj edhe presidenten e ardhshme e cila do të jetë, do të njoftoj instancat e tjera ligjore të drejtësisë. Do të dalim, pse jo, edhe në një protestë të marshit paqësor së bashku me organizatat e dala nga lufta, që Dimal Basha të dënohet për gjuhën fyese të nxitjes së urrejtjes kombëtare të cilën e ka bërë. Në anën tjetër, ky person nuk duhet të jetë i denjë të përfaqësojë poste ministrore apo në dikasteret qeveritare”
Ndërkaq, më 5 nëntor 2025, Dimal Basha, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit në atë kohë, e kishte krahasuar rastin e Astrit Deharit me krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
