Është bërë inaugurimi i objektit qeveritar në Hajvali, raporton Ekonomia Online.
Ky objekt është inauguruar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike bashkë me drejtorinë e Agjencisë për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu ka thënë se ky projekt ka kushtuar 1.8 milionë euro dhe do të akomodojë 150 zyrtarë shtetëror.
“Pra, jemi këtu në kompleksin qeveritar “Prishtina e Re”, ku jemi duke inauguru një objekt të ri për institucionet shtetërore me sipërfaqe prej 4682 metra katrorë. Ky objekt, pra i plotëson të gjitha standardet, është një objekt modern për të realizuar funksionet e administratës edhe institucioneve shtetërore, edhe domethënë, ajo përmban hapësira të ndryshme, të hapura, të mbyllura, salla të takimeve, zyre, po ashtu edhe hapësira për arkiv dhe hapësirë mbështetëse teknike. Objekti i ka pesë nivele, domethënë, duke përfshirë bodrumin, pjesën përdhese edhe tre kate. Është, siç e ceka, sipërfaqja totale prej 4682 metrash katrorë edhe parashihet që t’i akomodojë dikur rreth 150 zyrtarë të shtetit. Investimi total që është bërë në këtë ndërtesë është rreth 1.8 milion euro”, ka thënë ai.
“Ministria e Digitalizimit dhe Administratës Publike, në kuadër të përgjegjësive të saj, e ka edhe pjesën e reformës së administratës publike. Edhe një prej hapave të reformës sonë është që të sigurohemi që administrata publike është një punëdhënës atraktiv, pra që i tërheq profesionistët, të rinjtë edhe të rejat të vijnë edhe të punojnë, të angazhohen në shërbimin civil dhe të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit. E një prej elementeve që e bën qeverinë, gjegjësisht administratën tonë, punëdhënës atraktiv janë edhe hapësirat. Pra, përmes ndërtimit të këtyre hapësirave, ne ofrojmë kushte për punë, kushte adekuate për punë për institucionet tona shtetërore. Kjo është në suaza përsëri të përgjegjësive të ministrisë sonë, e cila e ka edhe pjesën e ndërtimit dhe menaxhimit të ndërtesave qeveritare”, tha Jagxhiu.
Për kompleksin qeveritar “Prishtina e Re”, Jagxhiu tha është një hapësirë prej 4.5 hektarëve ku parashihen të ndërtohen 11 ndërtesa.
“Përndryshe, kompleksi qeveritar Prishtina e Re është një hapësirë prej 4.5 hektarëve, ku parashihen të ndërtohen gjithsej 11 ndërtesa. Sipërfaqja totale e këtyre ndërtesave, pra sipërfaqja e punës që do të krijohet përmes këtyre ndërtesave është dikur rreth 45.000 metra katrorë, edhe parashihet që kur të përfundojë i tërë kompleksi, domethënë do t’i akomodojë dikur rreth 1800 zyrtarë të shtetit. Prej këtyre 11 ndërtesave, tri ndërtesa tashmë janë të përfunduara edhe funksionale. Kjo është ndërtesa e tretë që po bëhet funksionale, e pastaj plani është që gjatë këtij viti, deri në fund të muajit gusht, parashihen që edhe tri ndërtesa të tjera të përfundohen”, tha Jagxhiu.
Në objektin që është inauguruar sot do të Agjencia për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara (AMIK).
Drejtori i këtij institucioni, Emin Hoxha u shpreh së është e rëndësishme që zyrtarët e AMIK-ut të jenë në hapësira të sigurta.
“Edhe unë njëherësh po shfrytëzoj rastin të falënderoj jashtëzakonisht shumë për këtë vendim që e keni marrë për akomodimin e AMIK-ut në këto hapësira. Është shumë e rëndësishme që zyrtarët e AMIK-ut të jenë në hapësira të sigurta, ku ruhet dhe administrohet informacioni i klasifikuar në mënyrë të sigurt dhe t’i përgjigjem kërkesave tona ligjore në raport me mbrojtjen, qarkullimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. Po ashtu edhe në raport me ndërkombëtarët, domethënë partnerët tanë ndërkombëtarë, ku veçse kemi filluar disa iniciativa për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë. Edhe njëherë faleminderit shumë”, tha Hoxha.
